Shqipëria Postuar më 1 Prill 2026, 10:17

Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit lehtë në mars - Ndikoi përmirësimi i besimit në sektorin e tregtisë

Nga Dorian Koça

Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit lehtë në mars - Ndikoi

Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit lehtë me 0.6 pikë në muajin mars. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rritja u ndikua kryesisht nga përmirësimi i besimit në sektorin e tregtisë. Në të kundërt, treguesit e besimit në sektorët e tjerë të ekonomisë kontribuuan negativisht, por niveli aktual qëndron rreth 8 pikë mbi mesataren

Treguesi i besimit të industrisë u ul me 2.4 pikë përqindje në mars, pas një periudhe pesë-mujore rritjeje. Rezultati u ndikua nga vlerësime më pak optimiste të bizneseve për prodhimin industrial, si dhe për ecurinë e kontratave porositëse nga eksportet. Ndërkohë, pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë rritur ndjeshëm këtë muaj.

Treguesi i besimit në ndërtim u ul me 4 pikë përqindje në mars, por niveli i tij është rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rezultatin e mësipërm ndikuan vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale. Pritjet për çmimet në të ardhmen regjistruan rritje të theksuar këtë muaj.

Treguesi i besimit në shërbime u ul me 0.5 pikë përqindje këtë muaj, ndikuar nga rënia e lehtë e vlerësimit të bizneseve për nivelin e kërkesës dhe ecurisë aktuale të biznesit të tyre. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë rishikuar ndjeshëm për lart.

Treguesi i besimit në tregti u rrit me 7.6 pikë përqindje në mars, ndikuar si nga vlerësimet optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të shitjeve, ashtu edhe nga pritjet e bizneseve për nivelin e punësimit në të ardhmen. Njësoj si në sektorët e tjerë, pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan rritje të theksuar.

Ndërkohë, treguesi i besimit konsumator u ul me 2.1 pikë përqindje ku ndikuan ulja e pritjeve për gjendjen e tyre personale financiare, si dhe situatën ekonomike në të ardhmen. Në të kundërt, situata e blerjeve të mëdha regjistroi përmirësim duke dhënë kontribut pozitiv.

Të dhënat me frekuencë tremujore tregojnë se norma e shfrytëzimit të kapaciteteve është ulur në sektorët e industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve, ndërsa është rritur në sektorin e tregtisë, gjatë tremujorit të parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat