Shqipëria Postuar më 1 Prill 2026, 10:48

Më pak pritje për qytetarët - ASHK: 24 shërbime kadastrale ofrohen brenda një dite

Nga Ernilda Luzi

Më pak pritje për qytetarët - ASHK: 24 shërbime kadastrale

Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën të ditur se 24 shërbime kadastrale mund të përfitohen brenda 24 orëve, përmes procedurës së përshpejtuar. Ky shërbim synon të lehtësojë ndjeshëm aksesin e qytetarëve në dokumentacionin e nevojshëm dhe të reduktojë kohën e pritjes për marrjen e shërbimeve.

Ndërkohë sipas njoftimit, për të gjitha shërbimet që përfshihen në këtë procedurë, qytetarët mund të pajisen me dokumentacionin e kërkuar brenda një dite, duke filluar nga momenti i konfirmimit të pagesës nga ana e qytetarit. Ky proces i përshpejtuar u jep mundësi individëve të kenë akses më të shpejtë në dokumentacionin kadastral, i cili u shërben për procedura të ndryshme ligjore, ekonomike apo administrative.

Aplikimi për këto shërbime kryhet online përmes portalit “e-Albania”. Qytetarët duhet të përzgjedhin shërbimet që kanë kodin “PP” përpara emërtimit, i cili identifikon procedurën e përshpejtuar.

Nga ana tjetër, ndër shërbimet që përfshihen në këtë kategori janë një sërë dokumentesh dhe vërtetimesh të rëndësishme kadastrale, si: dokumentet e pronësisë, verifikime juridike të pronës, dokumente tekniko-ligjore.

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës u bën apel qytetarëve që gjatë aplikimit të plotësojnë me saktësi të gjitha të dhënat në formularin elektronik në formatin PDF. Çdo pasaktësi apo mungesë dokumentacioni mund të ndikojë në afatin e përpunimit të kërkesës, thekson ASHK.

Kjo nismë vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve publike dhe rritjes së efikasitetit në administratën shtetërore.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat