Shqipëria Postuar më 9 Shtator 2026, 11:12

Zjarret, verë më e qetë se 2025 - Më pak sipërfaqe e djegur, dëme minimale në banesa. 132 vatra të mëdha në total

Nga Ledina Elezi

Zjarret, verë më e qetë se 2025 - Më pak sipërfaqe e

Pavarësisht se zjarret kanë qenë të pashmangshme, kjo verë ka pasur më pak hektarë sipërfaqe të djegur se vitin e kaluar. Koordinimi më i ngushtë ndërmjet prefekturave, bashkive dhe të gjithë strukturave të sistemit të mbrojtjes civile, si dhe angazhimi i forcave operacionale, atyre vendore, zjarrfikëse dhe të ushtrisë, kanë ndikuar ndër të tjera në menaxhimin më të mirë dhe bilancin pozitiv të zjarreve në 2026.

Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje, 37,706 hektarë sipërfaqe është djegur deri më tani si rezultat i temperaturave të larta, pakujdesisë që qytetarët kanë treguar duke ndezur zjarre për djegien e barishteve dhe mbetjeve afër shtëpisë së tyre, i cili është përhapur më tej në kushtet e thatësirës, apo si pasojë direkte e zjarrvënies së qëllimshme. Deri më tani janë raportuar 132 vatra të mëdha zjarri në total.

Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku u prekën 207 shtëpi, prej të cilave 40 u shkrumbuan totalisht, situata paraqitet më pozitive në gusht të këtij viti, me dëme minimale në banesa.

Pas 2007, 2025 ishte viti i dytë më i keq në historinë e Shqipërisë për sa i përket sipërfaqes së madhe pyjore të djegur nga zjarret. Të dhënat tregojnë se 60 mijë hektarë tokë u dogjën vitin e kaluar nga 132 zjarre. 2007 mban vendin e parë me 127 mijë hektarë sipërfaqe të shkrumbuar, ndërsa numri më i madh i zjarreve është shënuar gjatë muajve të nxehtë të vitit 2017. Pavarësisht se me një numër më të vogël zjarresh se në 2017, viti 2007 ka pasur sipërfaqen më të madhe të djegur.

Cilat kanë qenë zonat më të prekura këtë vit?

Muaji gusht nisi me një valë zjarresh në Mallakastër, Krujë, Priskë të Madhe, Dajt, Cikallesh në Kavajë, Vilëz në Kurbin, Përmet dhe Malësi të Madhe. Qarku Tiranë, Durrës dhe Fier ishin më të prekurit. Ndërsa aktualisht, situata rezulton të jetë problematike në Lezhë, Fushë-Arrëz të Shkodrës, në Vajkal të Bulqizës, teksa janë të pranishme edhe disa vatra më të vogla në zona të tjera.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat