Shqipëria Postuar më 10 Shtator 2025, 12:24

Vera mbaroi, por “bregdeti” në krizë për punonjës - AKPA: Në ditët e para të shtatorit, mbi 20 kërkesa për staf shërbimi

Nga Diamila Leka

Vera mbaroi, por “bregdeti” në krizë për

Edhe pse sezoni turistik ka hyrë në javët e tij të fundit dhe flukset e turistëve kanë filluar të bien ndjeshëm, baret dhe restorantet në zonat bregdetare vazhdojnë të përballen me mungesë të theksuar të stafit të shërbimit. Kërkesa për punonjës mbetet e lartë, veçanërisht për pozicionet si kamarierë dhe banakierë.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, vetëm në ditët e para të shtatorit janë regjistruar mbi 21 vende të lira pune në Durrës dhe Vlorë si dy nga destinacionet më të frekuentuara bregdetare. Kjo tregon një hendek të dukshëm midis kërkesës dhe ofertës për punonjës sezonalë në sektorin e shërbimit.

Megjithatë, përtej nevojës për staf, një nga sfidat më të mëdha që vijon të rëndojë mbi këtë sektor është informaliteti. Mungesa e kontratave, deklarimi i pjesshëm i pagave dhe shmangia e detyrimeve tatimore janë disa nga fenomenet më të përhapura, sidomos gjatë sezonit të verës kur fluksi i punës është më i lartë dhe kontrolli më i vështirë.

Në përpjekje për të frenuar këtë praktikë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në fillim të sezonit turistik, ka përcaktuar pagat minimale të referencës për profesionet kryesore që lidhen me turizmin dhe shërbimin. Sipas këtij udhëzimi, çdo subjekt që punëson staf si kamarierë, banakierë, kuzhinierë, menaxherë, sanitare apo roje parkimi, duhet të mbështetet në pagat indikative të publikuara nga Tatimet.

Kështu, paga më e ulët e referencës është 55,000 lekë për rojen e parkimit, ndërsa për kamarierët varion nga 70,000 deri në 80,000 lekë në muaj. Sanitarët, punëtorët e thjeshtë dhe larësit e enëve janë parashikuar të paguhen të paktën 60,000 lekë, ndërsa për menaxherët shifra rritet në 90,000 deri në 110,000 lekë. Më të paguarit rezultojnë të jenë kuzhinierët dhe kryekuzhinierët, me paga që shkojnë deri në 140,000 lekë.

Tatimet paralajmërojnë se çdo tatimpagues që deklaron paga nën këto nivele për profesionet e mësipërme apo të ngjashme, do të konsiderohet me risk dhe do të jetë subjekt i verifikimeve të thelluara.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat