Shqipëria Postuar më 10 Shtator 2025, 09:41

‘Bujqësia 2030’/ Denaj: Tre instrumente financimi për fermerët, agropërpunuesit dhe agroturizmin!

Nga Edel Strazimiri

‘Bujqësia 2030’/ Denaj: Tre instrumente financimi për

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se fermerët, agropërpunuesit dhe sipërmarrësit në fushën e agroturizmit kanë tashmë akses më të lehtë në financim përmes tre instrumenteve të reja mbështetëse: Skema Kombëtare e Investimeve 2025, Kredia e Butë, dhe Garancia Sovrane.

Sipas Denaj këto instrumente, pjesë e vizionit strategjik “Bujqësia 2030”, synojnë forcimin, modernizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor në Shqipëri.

“Këto instrumente konkrete financimi kthejnë idetë e investimit në projekte të realizueshme. Përmes një kombinimi të favorshëm të grantit, kredisë me interes të ulët dhe garancisë për kolateralin, ne i japim fund barrierave financiare që kanë penguar për vite me radhë investimet në bujqësi dhe agroturizëm”, tha ajo.

Tre instrumentet kryesore për financim janë: granti deri në 50% përmes Skemës Kombëtare të Investimeve 2025; kredi e butë me interes vetëm 2% dhe Garancia Sovrane që mbulon 70% të kolateralit të kërkuar nga bankat.

Ky model i integruar financimi synon të sigurojë mbulim të plotë të investimeve, duke e bërë më të lehtë për fermerët dhe sipërmarrësit të zhvillojnë aktivitetin e tyre, të rrisin prodhimin dhe të hyjnë në tregje të reja.

Ministrja theksoi se aplikimet për këto instrumente do të hapen në fund të muajit shtator, ndërsa do të shoqërohen me sesione informuese në të gjitha qarqet e vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat