Shqipëria Postuar më 30 Korrik 2026, 19:37

Varianti alternativ, PD për reformën territoriale: Shqipëria ndahet në 6 rajone dhe 100 bashki

Nga SCAN TV

Varianti alternativ, PD për reformën territoriale: Shqipëria

Pas publikimit të versionit zyrtar të Partisë Socialiste për ndarjen territorial, drafti I të cilës është dërguar në Kuvend, Partia Demokratike publikoi variantin e saj. Ndryshe nga PS që propozon një ndarje me 46 bashki, që do të thotë shkrirjen e 15 bashkive, PD propozon ndarje në 100 bashki dhe 6 rajone.

Të dhënat për dokumentin e përgatitur nga ekspertët e Partisë Demokratike i publikoi bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Luciano Boçi.

Sipas variantit të PD-së, 100 bashkitë do të organizohen në 6 rajone:

Rajoni 1 – Shkodër-Lezhë: 16 bashki
Rajoni 2 – Dibër-Kukës: 13 bashki
Rajoni 3 – Tiranë-Durrës: 15 bashki
Rajoni 4 – Elbasan-Korçë: 19 bashki
Rajoni 5 – Fier-Berat: 19 bashki
Rajoni 6 – Vlorë-Gjirokastër: 18 bashki.

Varianti i PD-së rikthen në hartën administrative një numër bashkish që nuk ekzistojnë në ndarjen aktuale territoriale, ndërsa në disa qarqe parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të bashkive.

Në qarkun Shkodër, për shembull, propozohen 8 bashki, nga 5 që janë aktualisht, ndërsa në qarkun e Lezhës numri shkon nga 3 në 8 bashki. Në qarkun e Tiranës, PD propozon 10 bashki, nga 5 sipas ndarjes territoriale të vitit 2014.

Mes bashkive të propozuara në draft janë Velipojë, Drivast, Koplik, Shishtavec, Bicaj, Maqellarë, Shupenzë, Kastriot, Lurë, Petrelë, Kashar, Dajt, Arbanë, Ndroq, Amantia, Orikum, Ksamil dhe Novoselë, krahas bashkive ekzistuese që në draft marrin përbërje të reja territoriale.

Dy propozimet e reja për ndarjen territoriale paraqesin kështu dy modele të ndryshme: PS propozon 46 bashki, ndërsa PD 100 bashki të organizuara në 6 rajone.

Propozimi i Partisë Demokratike pritet të jetë pjesë e diskutimeve dhe debatit parlamentar për reformën e re administrativo-territoriale.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat