Shqipëria Postuar më 30 Korrik 2026, 13:58

Mbi 1200 aplikime për Paketën e Maleve/ Koçiu: Janë shpallur zona zhvillimi në 52 bashki, mundësi për ekonominë rurale

Nga Scan TV

Mbi 1200 aplikime për Paketën e Maleve/ Koçiu: Janë

Mbi 1200 aplikime janë miratuar në kuadër të Paketës së Maleve, sipas zëvendëskryeministres Albana Koçiu. Gjatë një takimi në Bashkinë e Vaut të Dejës me banorë që kanë aplikuar në këtë program dhe kanë kaluar fazën e parë të procesit, Koçiu tha se deri më tani janë miratuar mbi 400 zona zhvillimi në 52 bashki.

Deri më sot përveç Vaut të Dejës dhe në bashkitë e tjera janë miratuar mbi 400 zona zhvillimi. Në 52 bashki të vendit kemi mbi 1200 aplikime të miratuara deri më tani, çka do të thotë që interesi ka qenë i jashtëzakonshëm. Mua më vjen mirë që ne këtu së bashku jemi me disa nga dëshmitarët e këtij procesi, i cili fillon në fakt me një bashkëpunim shumë të ngushtë me bashkinë, në rastin konkret me Bashkinë e Vaut të Dejës, pasi do duhet që të paraqitet i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për të deklaruar që një pronë, një truall apo një objekt posedohet së paku 10 vite nga ai që aplikon apo që dëshiron ta zhvillojë atë pronë dhe të zhvillojë një investim në atë pronë. Më pas, bashkia kryen procesin e saj administrativ dhe vijon më pas me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, me marrjen dhe me miratimin e planit të zhvillimit e më pas me aplikimet e tjera”, - u shpreh Koçiu.

Sipas Koçiut, “Paketa e Maleve” është një program i krijuar për familjet dhe banorët e zonave malore.

Nuk është aspak një paketë për oligarkë apo për investitorë të huaj. Është një mundësi e jashtëzakonshme për bizneset familjare, për banorët lokalë të zonave malore, për ata që kanë vite që jetojnë në ato zona dhe kanë patur pamundësinë për ta zhvilluar një ide të tyre, një biznes lokal, një mundësi rritje më shumë për shkak të pamundësisë së disponimit të pronës mbi truallin apo objektin ku do duhet të zhvillohet ideja e investimit që ata kanë” - deklaroi ajo.

Koçiu foli dhe për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, që u krijon mundësi bizneseve të marrin kredi me interesa të lehtësuara. Sipas këtij programi bizneset mund të përfitojnë kredi me interesa 2 deri në 3 për qind, me afat deri në 10 vjet, ndërsa shteti garanton deri në 70 për qind të kolateralit, duke mundësuar që sipërmarrësit të investojnë në pajisje, teknologji dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat