Shqipëria Postuar më 15 Tetor 2025, 11:06

“Ulje e tarifave të thirrjeve celulare dhe investim në 5G” - Kostot e terminimit, sipas metodologjisë së BE. Kuvendi, 11 rekomandime për AKEP

Nga Ledina Elezi

“Ulje e tarifave të thirrjeve celulare dhe investim në 5G”

Ulje e tarifave të terminimit të thirrjeve dhe më shumë investime në rrjetin 5G. Kuvendi i Shqipërisë i ka rekomanduar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) që duke nisur nga ky vit e në vijim, të zbatojë metodologjinë e vendeve të BE-së për përcaktimin e tarifave të terminimit, pra në rastet kur një abonent i Vodafone telefonon një abonent të One, kompania Vodafone i paguan një tarifë kompanisë One dhe e anasjellta.

Me zbatimin e metodologjisë së BE, këto tarifa që paguhen midis kompanive celulare do të ulen. Zbutja e kostove të operatorëve pritet të përkthehet gjithashtu në ulje të tarifave për qytetarët.

Jo shumë kohë më parë, AKEP hodhi për këshillim publik edhe një dokument që parashikonte një reduktim me 57% të tarifave të terminimit të thirrjeve fikse nga 2025 në 2026. Aktualisht, tarifa është 0.7 lekë për minutë, në 2026 pritet të bëhet 0.3 lekë dhe 0.15 lekë për minutë, ndërsa në 2027 do të zbresë në 0.07 lekë për minutë.

Gjithashtu, Kuvendi i ka kërkuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të rrisë përpjekjet për promovimin e investimeve në rrjetet e shpejtësisë së lartë, përfshirë 5G, dhe konkurrencën efektive në treg, duke pasur në vëmendje mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurimin e shërbimit universal të komunikimeve elektronike.

Së fundmi, iu hap rruga zbatimit të rrjetit 5G përmes lirimit të frekuencave të digital dividentit dy (DD2), ku përfshihet brezi i frekuencave nga 694 MHz në 790 MHz. Brezi 700 MHz, teknikisht është brezi më i mirë i frekuencave për ndërtimin e rrjeteve 5G, veçanërisht për shkak se frekuencat e këtij brezi realizojnë mbulim shumë të mirë me një numër të caktuar stacionesh (antenash).

Edhe për sa i përket cilësisë së shërbimeve në telefoninë celulare, Kuvendi i sugjeron AKEP që të rrisë monitorimin e cilësisë së shërbimit. Në zonat ku mbulimi me sinjal është i dobët, përfshirë akset rrugore të vendit dhe zonat turistike, AKEP duhet t'i kërkojë kompanive celulare që të vendosin stacione provizore ose optimizojnë antenat ekzistuese.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat