Bota Postuar më 15 Tetor 2025, 09:53

FMN, “optimiste” për të ardhmen - Rrit parashikim për ekonominë globale, për shkak të tarifave më të ulëta

Nga Kristi Ceta

FMN, “optimiste” për të ardhmen - Rrit parashikim për

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) rriti lehtë parashikimin për rritjen ekonomike globale në vitin 2025, pasi tronditjet nga tarifat dhe kushtet financiare kanë rezultuar më të ulëta se sa pritej. Megjithatë, FMN paralajmëroi se një luftë tregtare e rinovuar mes SHBA-së dhe Kinës mund të ngadalësojë ndjeshëm prodhimin global.

FMN tha në Raportin e tij për Perspektivën Ekonomike Botërore se marrëveshjet e fundit tregtare midis SHBA-së dhe disa ekonomive të mëdha kanë shmangur më të keqen nga tarifat e kërcënuara nga Trump, duke çuar në përmirësimin e dytë të parashikimit që nga prilli.

Rritja reale e PBB-së globale pritet të jetë 3.2% për vitin 2025, nga 3.0% që ishte në korrik dhe nga një parashikim më i ulët prej 2.8% në prill, i realizuar pasi Trump vendosi tarifa të gjera "reciproke". FMN parashikon gjithashtu një rritje prej 3.1% për vitin 2026, e pandryshuar nga parashikimi i korrikut.

Përveç normave më të ulëta të tarifave sesa pritej, prodhimi global është mbështetur nga sektori privat që parapërgatiti importet dhe riorientoi me shpejtësi zinxhirët e furnizimit, si dhe nga dollari më i dobët e stimujt fiskalë në Evropë dhe Kinë. Gjithashtu, një rol të rëndësishëm luajtën investimet në inteligjencën artificiale.

Por Trump turbulloi sërish situatën, duke kërcënuar me tarifa 100% mbi mallrat kineze, përveç normave ekzistuese mesatare prej 55%, si kundërpërgjigje ndaj kontrollit të zgjeruar të eksporteve të rralla nga Pekini. Një përshkallëzim midis dy superfuqive mund të ulë ndjeshëm parashikimet e rritjes dhe të shtojë pasigurinë që po frenon investimet dhe shpenzimet.

Në një skenar negativ të paraqitur në raport, ku modelohen tarifa 30 pikë përqindjeje më të larta sesa nivelet aktuale mbi mallrat nga Kina, dhe 10 pikë përqindjeje më të larta për Japoninë, zonën euro dhe tregjet në zhvillim të Azisë, FMN llogarit se kjo do të ulte rritjen globale në vitin 2026 me 0.3 pikë përqindjeje. Ndikimi negativ do të rritej në më shumë se 0.6 pikë përqindjeje deri në vitin 2028.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat