Rajoni Postuar më 15 Tetor 2025, 09:27

Borxhi i Malit të Zi, mbi 60% e PBB-së - Arrin rreth 4.8 miliardë euro. Dominojnë detyrimet e jashtme, me 94%

Nga Kristi Ceta

Borxhi i Malit të Zi, mbi 60% e PBB-së - Arrin rreth 4.8 miliardë

Borxhi total kombëtar i Malit të Zi arriti në 4.76 miliardë euro, ose 60.11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) më 30 qershor. Pas zbritjes së depozitave shtetërore, borxhi neto i shtetit ishte 4.19 miliardë euro, që përkon me 52.94% të PBB-së, sipas Ministrisë së Financave.

Në fund të qershorit, depozitat shtetërore ishin 567.76 milionë euro, duke përfshirë 38,447 ons ari me vlerë 108.08 milionë euro.

“Borxhi publik total i Malit të Zi, që përfshin edhe detyrimet e pushtetit vendore, ishte 4.82 miliardë euro, ose 60.82% e PBB-së. Ndërsa ai publik neto, duke marrë parasysh depozitat e Ministrisë së Financave, ishte 4.25 miliardë euro, ose 53.65% e PBB-së,” thuhet në raportin e Ministrisë që është publikuar në faqen zyrtare.

Për sa i përket borxhit të jashtëm, shifra arriti në 4.46 miliardë euro, që përbën 56.31% të PBB-së, rreth 329.31 milionë euro më shumë se në fund të marsit 2025. Sipas Ministrisë, kjo rritje erdhi për shkak të emetimit të bonove qeveritare në tregun ndërkombëtar me vlerë 850 milionë euro, si dhe tërheqjes së fondeve nga marrëveshjet e kredisë të hartuara më parë. Pjesa më e madhe e borxhit të jashtëm lidhet me bonot që janë emetuar në vitet paraprake.

Borxhi i brendshëm total në datë 30 qershor ishte 300.77 milionë euro, ose 3.80% të PBB-së, duke u ulur me 20.29 milionë euro krahasuar me tre muaj më parë.

Sipas raportit, kjo tkurrje është rezultat i shlyerjes së rregullt të kredive, ndërsa struktura e borxhit të brendshëm dominohet ende nga huatë e marra në bankat tregtare. 

Në strukturën shtetërore të Malit të Zi, borxhi i jashtëm zë pjesën më të madhe me 93.7 për qind, ndërsa ai i brendshëm përbën 6.3 për qind. Krahasuar me fundin e tremujorit të parë, ky raport ka mbetur pothuajse i pandryshuar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat