Shqipëria Postuar më 14 Tetor 2025, 13:43

Nga kamarieri, të juristi, tregu ka nevojë për punonjës! - AKPA, në dy javë liston 1143 vende të lira pune

Nga Diamila Leka

Nga kamarieri, të juristi, tregu ka nevojë për punonjës! -

Në të gjithë Shqipërinë janë aktualisht të listuara 6916 vende të lira pune, sipas të dhënave të fundit nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Vetëm në dy javët e para të tetorit, janë raportuar një total prej 1143 vendesh të lira, duke reflektuar nevojën në rritje të tregut për fuqi punëtore.

Por cilët janë profesionet më të kërkuara sot në tregun shqiptar të punës?

Ndryshe nga zonat bregdetare, ku bizneset turistike vijojnë të kërkojnë punonjës për stafet e shërbimit si kamarierë, kuzhinierë, sanitarë dhe personel tjetër ndihmës,  sidomos edhe pse sezoni veror ka përfunduar, në qytetet e tjera të vendit mbizotëron kërkesa për punëtorë krahu.

Gjatë dy javëve të para të muajit tetor, janë regjistruar 231 kërkesa për punëtorë krahu, duke e bërë këtë një nga kategoritë më të kërkuara nga punëdhënësit në sektorin prodhues, ndërtim, apo logjistikë. Ndërkohë, kërkesat për kamarierë në zonat turistike mbeten ende aktive, me 18 pozicione të hapura vetëm në këtë periudhë të shkurtër.

Megjithatë, nuk mungon as kërkesa për punonjës të kualifikuar me arsim të lartë. Statistikat tregojnë se janë shpallur 230 vende pune për profesionistë, ku më të kërkuarit janë financierët, ekonomistët, juristët, inxhinierët, si dhe specialistë të tjerë teknikë. Ky trend tregon një rritje të interesit të bizneseve për staf profesional, në funksion të zgjerimit apo formalizimit të aktivitetit të tyre.

Në përgjithësi, të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive pasqyrojnë një treg pune që po lëviz me ritme të ndryshme në varësi të rajonit dhe sektorit, por gjithashtu nxjerr në pah një sfidë të njohur, mungesa e punonjësve të gatshëm për të pranuar vendet ekzistuese.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat