Shqipëria Postuar më 19 Shkurt 2026, 11:51

Transfertat e Shqipërisë në euro, sot 95% më lirë! - Para SEPA, kostot e pagesave ndërkufitare ishin deri 17 herë më të larta se BE

Nga Ledina Elezi

Transfertat e Shqipërisë në euro, sot 95% më lirë! -

Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA ka sjellë një transformim të ndjeshëm në kostot e transfertave ndërkufitare në euro, duke i afruar ato me standardet e Bashkimit Evropian.

Por si ishte situata para këtij integrimi?

Sipas një studimi të publikuar nga Banka Botërore mbi kostot e pagesave biznes-me-biznes në Ballkanin Perëndimor, para anëtarësimit në SEPA, transfertat nga Shqipëria dhe rajoni drejt vendeve të BE-së ishin shumë më të shtrenjta se brenda vetë BE-së.

Mesatarisht, një transfertë prej 5 mijë eurosh kushtonte rreth 0.50% e shumës, ndërsa për 20 mijë euro rreth 0.34%. Në disa korridore specifike, tarifa për 5 mijë euro arrinte deri në 0.76%. Në krahasim, transfertat brenda BE-së lëviznin në nivele shumë më të ulëta, nga 0.02% deri në 0.05%.

Kjo do të thoshte se bizneset shqiptare paguanin deri në 10 apo 17 herë më shumë për të kryer të njëjtën pagesë që një kompani në BE e realizonte me kosto minimale.

Ndryshimi vjen pas anëtarësimit dhe operacionalizimit të SEPA-s.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, kostot e transfertave kanë rënë në mënyrë dramatike. Për një transfertë prej 5 mijë eurosh, tarifa ka zbritur nga 0.76% në vetëm 0.08%, një ulje prej rreth 90%. Ndërsa për një transfertë prej 20 mijë eurosh, kostoja ka rënë nga 0.47% në 0.02%, mbi 95% më pak.

Kjo nënkupton se një biznes që më parë paguante qindra euro për një transfertë të madhe, sot paguan vetëm një pjesë shumë të vogël të asaj shume.

Efekti ekonomik pritet të jetë i ndjeshëm. Vlerësohet se gjatë vitit të parë të zbatimit, ekonomia shqiptare do të kursejë rreth 70 milionë euro nga reduktimi i kostove të transaksioneve në euro.

Nga një situatë ku transfertat ndërkufitare ishin shumë herë më të kushtueshme se në BE, Shqipëria po hyn në një fazë të re, ku pagesat në euro trajtohen me standarde të njëjta me ato evropiane, një hap konkret drejt afrimit ekonomik me Bashkimin Evropian dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare në tregun ndërkombëtar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat