Shqipëria Postuar më 19 Shkurt 2026, 10:36

Si do të blihen kompanitë e mëdha në Shqipëri? - Mbrojtje e shtuar për aksionarët e vegjël. Rregullat e reja garantojnë barazi në çmim

Nga Ledina Elezi

Si do të blihen kompanitë e mëdha në Shqipëri? -

Rregullat për mënyrën se si blihen kompanitë e listuara në bursë, pra ato kompani që kanë aksione të hapura për publikun, do të ndryshojnë.

Qeveria ka propozuar disa ndryshime në ligjin përkatës, i cili zbatohet kur një investitor dëshiron të blejë një pjesë të madhe të aksioneve të një kompanie, me qëllim që të marrë kontrollin e saj. Me ndryshimet e reja, synohet që ky proces të jetë më i drejtë, më transparent dhe të mbrojë më mirë të gjithë aksionarët, veçanërisht ata të vegjël.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me çmimin e ofertës. Nëse një investitor shpall publikisht një çmim për blerjen e aksioneve, por më pas blen aksione me një çmim më të lartë, ai do të detyrohet ta rrisë ofertën për të gjithë aksionarët. Pra, nëse dikush paguhet më shumë, atëherë të gjithë duhet të paguhen me të njëjtin çmim. Kjo rrit barazinë dhe shmang marrëveshjet e fshehta.

Ligji i jep gjithashtu më shumë kompetenca Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ky institucion do të ketë të drejtë të ndërhyjë në rastet kur dyshohet për manipulim të çmimeve, për situata të jashtëzakonshme në treg, apo kur kompania është në vështirësi financiare. Çdo vendim për ndryshim të çmimit do të duhet të argumentohet dhe të bëhet publik.

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me votimin në kompani gjatë periudhës së ofertës. Në raste të caktuara, kufizimet mbi të drejtën e votës nuk do të zbatohen dhe aksionet me votë të shumëfishtë do të numërohen si një votë e vetme. Qëllimi është të sigurohet që vendimmarrja të jetë sa më e barabartë mes aksionarëve.

Projektligji forcon edhe bashkëpunimin me vendet e Bashkimit Evropian dhe përafron rregullat shqiptare me direktivat evropiane për marrjen në kontroll të kompanive. Disa nga këto dispozita do të hyjnë në fuqi vetëm në momentin kur Shqipëria të anëtarësohet në BE.

Në thelb, ndryshimet synojnë të rrisin besimin në tregun e kapitalit, të mbrojnë investitorët dhe të vendosin rregulla më të qarta për mënyrën se si blihen kompanitë e mëdha në vend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat