Shqipëria Postuar më 18 Dhjetor 2025, 13:20

Themelohet Banka Shqiptare e Zhvillimit - Regjistrohet në QKB. Kush do të jetë administratori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës?

Nga Ledina Elezi

Themelohet Banka Shqiptare e Zhvillimit - Regjistrohet në QKB. Kush do

Është regjistruar si shoqëri aksionare Banka Shqiptare e Zhvillimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Kjo shënon themelimin e saj zyrtar dhe marrjen e statusit aktiv që nga data 16 dhjetor deri pa afat.

Banka Shqiptare e Zhvillimit ka një sistem administrimi prej 2 nivelesh, niveli i parë është Administratori dhe i dytë, Këshilli Mbikëqyrës. Administratori i saj do të jetë italiani Silvio Pedrazzi, ish drejtues i një prej bankave me kapital të huaj në vend. Pedrazzi është emëruar për një mandat 3-vjeçar, mandat që ka nisur me 16 dhjetor 2025 dhe përfundon me 16 dhjetor 2028.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës përbëhet nga 5 anëtarë, Daniel Demeulenaere, Artur Asllani, Arben Shkodra, Eris Hysi dhe Irida Huta. Anëtarët janë po ashtu të emëruar për 3 vite. Ministria e Financave është aksionare e vetme, duke zotëruar kështu 100% të aksioneve. Banka Shqiptare e Zhvillimit ka një kapital prej 10 miliardë lekësh.

Banka ushtron veprimtarinë e kredidhënies për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe startup-et vendase për të nxitur rritjen, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe zgjerimin në tregjet ndërkombëtare; kredidhënia dhe mbështetja për eksportet e mallrave dhe shërbimeve vendase; kredidhënia për projektet publike në nivel qendror e vendor, me përparësi për ekonominë e vendit; kredidhënia për zhvillimin, përmirësimin e modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit, në përputhje me objektivat strategjikë kombëtarë; kredidhënien për shoqëritë tregtare vendase bazuar në kushtet e tregut dhe në parimet e konkurrencës së lirë, si veprimtari plotësuese e financimit të ofruar nga bankat tregtare.

Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, ndër të tjera, Banka mund të akordojë kredi afatshkurtra dhe afatmesme-afatgjata për persona juridikë të tretë, qoftë drejtpërdrejt ose përmes marrëveshjeve të bashkëfinancimit në bashkëpunim me institucionet financiare vendase dhe ndërkombëtare; lëshojë garanci financiare dhe tregtare afatshkurtra dhe afatgjata; blejë obligacione te korporatave; marrë pjesë në instrumente financiare të kapitalit dhe instrumente të tjera të ngjashme; investojë tepricën e likuiditetit në obligacione qeveritare vendase dhe ndërkombëtare; hapë llogari rrjedhëse në banka tregtare dhe ndërkombëtare; vendosë depozita afatshkurtra dhe afatmesme në banka tregtare; veprojë si agjent për administrimin e granteve kombëtare në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave dhe për çdo skemë tjetër grantesh.

Në aspektin e financimit dhe/ose detyrimeve mund të emetojë obligacione afatshkurtra dhe afatmesme-afatgjata në tregjet financiare vendase dhe ndërkombëtare; pranojë depozita afatshkurtra dhe afatmesme nga bankat tregtare dhe institucionet e tjera financiare vendase dhe ndërkombëtare; ketë akses në operacionet e politikës monetare me Bankën e Shqipërisë dhe në operacionet e rifinancimit me bankat dhe institucionet financiare vendase dhe ndërkombëtare; marrë dhe administrojë fonde strukturore nga shteti dhe/ose institucionet supranacionale; pranojë fonde të kthyeshme nga publiku, veçanërisht nga individët që nuk u ofrohet shërbim i plotë nga sistemi bankar, në formën e produkteve të kursimit, nëpërmjet një entiteti të veçantë të Postës Shqiptare sh.a. Produktet e kursimit të mbledhura nga publiku garantohen me garanci shtetërore dhe përdoren për aktivitete promovuese.

Selia e Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të jetë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Ndërtesa nr.3.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat