Shqipëria Postuar më 25 Gusht 2025, 14:41

Tërheqjet me kartë, instalohen 150 bankomate të rinj - BSH: Rreth 95% e ATM-ve në vend ofrojnë vetëm shërbimin e tërheqjes së parave

Nga Ledina Elezi

Tërheqjet me kartë, instalohen 150 bankomate të rinj - BSH: Rreth

Bankat tregtare po zgjerojnë gjithnjë e më tepër rrjetin e tyre të bankomateve vend. Aktualisht, në Shqipëri numërohen gjithsej 1214 bankomate për urdhër transferta, tërheqje dhe depozitim parash. Shifrat flasin për një rritje me 14% të ATM-ve në krahasim me tremujorin e fundit të 2024. Vetëm në periudhën prill-qershor janë shtuar 150 bankomate të reja në Shqipëri.

Referuar të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, rreth 95% e bankomateve shërbejnë për tërheqje parash, gati 34% shërbejnë edhe për depozitim, ndërsa 25% e ATM-ve përfshijnë edhe funksionin e urdhër transfertave. E thënë ndryshe, në Shqipëri ekzistojnë rreth 1164 bankomate për tërheqje parash, 414 me funksion edhe depozitimi, ndërsa 307 kanë edhe funksionin e urdhër transfertave.

Për sa i përket numrit të transaksioneve të realizuara në bankomate në gjysmën e parë të vitit, nga shifrat rezultojnë 11.7 milionë tërheqje dhe depozitim parash me kartë përmes ATM-ve, ku gati 11 milionë veprime ishin vetëm për tërheqje, ndërsa 809 mijë transaksione depozitim. Nga ana tjetër, për sa i takon vlerës së transaksioneve, në 192 miliardë lekë u regjistrua shuma e tërhequr nga shqiptarët në gjashtëmujorin e parë të vitit.

Nga tremujori i parë në të dytin, vërehet një shtim shumë i vogël i bankomateve që përveç shërbimit të tërheqjes së parave, ofrojnë edhe shërbimin e depozitimit dhe urdhër transfertave. Pavarësisht se ATM-të që përfshijnë edhe depozitimin e parave janë rritur në vitet e fundit, sërish numri i tyre mbetet  tepër i vogël në krahasim me ato që shërbejnë edhe për tërheqje. Ka ende disa banka të nivelit të dytë që në ATM-të e tyre nuk përfshijnë depozitimin e parave, një shërbim ky mjaft i kërkuar nga qytetarët, që herë pas here i detyron të presin në radhët e gjata të bankave për të realizuar këtë transaksion të thjeshtë.

Shtimi i numrit të bankomateve në vend, sidomos në zonat rurale, rrit përfshirjen financiare të popullsisë dhe qasjen e qytetarëve në shërbime financiare.

 


 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat