Shqipëria Postuar më 25 Gusht 2025, 13:57

ARRSH hap dy tendera për supervizimin e punimeve në Tiranë dhe Sarandë - Nisin përgatitjen për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, Faza III

Nga Diamila Leka

ARRSH hap dy tendera për supervizimin e punimeve në Tiranë dhe

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar së fundmi dy tendera të rinj në Agjencinë e Prokurimeve Publike, që lidhen me supervizimin e punimeve në dy projekte të rëndësishme infrastrukturore: zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës (Faza III) dhe ndërtimi i By-Pass-it të Sarandës (Faza I).

Sipas dokumenteve të publikuara, tenderi për “Supervizion punimesh, zgjerim i superstradës Tiranë–Durrës, Faza III” ka një fond limit prej rreth 21.4 milionë lekësh. Objektivi i supervizorit është të kontrollojë dhe ndjekë zbatimin e punimeve në përputhje me projektin, specifikimet teknike dhe afatet kohore të përcaktuara, si dhe të sigurojë që procesi të zhvillohet në mënyrë efikase edhe nga ana ekonomike.

Ky segment parashikohet të ketë këto parametra teknikë: gjerësi e kurorës së asfaltuar: 32.5 metra, korsi kalimi: 3 x 3.75 m (në të dyja karrexhatat), korsi emergjence: 1 x 3 m (në të dyja karrexhatat), bankina e asfaltuar (krahu i majtë): 2 x 0.7 m, bankina (krahu i djathtë): 2 x 1.3 m, trafikndarëse qendrore: 1 x 2.6 m

Ndërkohë, tenderi i dytë, me objekt “Supervizion punimesh, ndërtim i By-Pass-it Sarandë, Faza I”, ka një fond limit prej 17.1 milionë lekësh. Segmenti i ri rrugor do të ketë një gjatësi prej 3,115 metrash linearë, dhe do të lidhet në mënyrë funksionale me “Rrugën e Gjashtës”. Më tej, traseja përfshin ndërtimin e një tuneli me gjatësi 730 metra, i cili do të dalë në anën tjetër të kodrës dhe do të lidhet me rrugët ekzistuese SH8 dhe “Kardhiq–Delvinë”.  

Në fillim të projektit është parashikuar edhe një zgjidhje alternative planimetrike në lidhje me “Rrugën Skënderbeu”, me qëllim shmangien e prishjes së objekteve ekzistuese.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat