Shqipëria Postuar më 25 Gusht 2025, 13:27

Euro e mbyll gushtin në nivelin më të ulët historik - Këmbehet mesatarisht me 97.23 lekë, rënia më e përmbajtur në 2025

Nga Lidion Kulla

Euro e mbyll gushtin në nivelin më të ulët historik -

Euro pritet ta mbyllë muajin gusht pranë nivelit më të ulët historik, në raport me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane këmbehet mesatarisht në 97.23 lekë, ndërsa vijon të gjendet nën presion nga fluksi i lartë i euros në ekonominë shqiptare.  

Euro e ka nisur javën e fundit të gushtit pranë nivelit më të ulët historik në raport me lekun, në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha euro këmbehet të hënën mesatarisht në 97.23 lekë, shumë pranë nivelit më të ulët në histori, prej 97.13 që e regjistroi të enjten e javës së kaluar. Ndërsa, sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, euro blihet të hënën me 96.5 dhe shitet me 97.5 lekë.

Megjithatë, rënia gjatë 2025-ës ka qenë më e përmbajtur krahasuar me vitet e kaluara, pavarësisht fluksit të monedhës europiane në ekonominë shqiptare, si pasojë e numrit të lartë të turistëve. Sipas ekspertëve të tregjeve financiare, euro tashmë mund të ketë gjetur një realitet të ri, pranë, por poshtë 100 lekëve.

Rënia e euros në tregun e brendshëm në raport me lekun, vjen në një kohë që në tregjet ndërkombëtare, monedha europiane po tregtohet në mbi 1.17 dollarë, që është niveli më i lartë në 3 vite e gjysmë. Por, ky forcim i euros në tregjet e huaja nuk reflektohet në tregun e brendshëm, sepse raporti euro-lek, përcaktohet kryesisht nga kërkesa dhe oferta vendase.

Nivelin më të lartë për këtë vit, euro e ka regjistruar në 30 janar, kur këmbehej pranë 100 lekëve dhe që nga ajo kohë ka humbur 2.85% të vlerës në raport me monedhën tonë. Përveç efektit sezonal të pushimeve verore, flukset hyrëse në euro në ekonominë shqiptare mbeten të larta, për shkak të Investimeve të Huaja Direkte, kryesisht në pasuri të patundshme, dhe remitancave. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, Investimet e Huaja Direkte rezultuan në 362 milionë euro, nga të cilat 28.7% ose rreth 104 milionë euro shkuan për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Presionet mbi kursin e këmbimit e kanë detyruar Bankën e Shqipërisë të ndërhyjë herë pas here, duke blerë euro në tregun e brendshëm. Pasi bleu një shifër rekord prej 932 milionë euro, gjatë vitit 2024, në tremujorin e parë të këtij viti, Banka Qendrore e ngadalësoi hapin, duke blerë vetëm 32.6 milionë euro. Njëkohësisht Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa ulje të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit, duke e çuar në nivelin e 2.5%, për shkak se inflacioni po qëndron prej thuajse një viti në intervalin 2%-3%. Teorikisht, lehtësimi i politikës monetare nga Banka Qendrore synon ta dobësojë lekun, por mesa duket kjo nuk po ndodh edhe për shkak të zhvillimit të ngadaltë të tregjeve financiare në vendin tonë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat