Shqipëria Postuar më 18 Prill 2025, 11:44

Tenderët, institucionet “shpërndanë” 172 mld lekë - Raporti i APP për 2024: Nga procedurat u kursye 14% e fondit limit të shpallur

Nga Ola Mitre

Tenderët, institucionet “shpërndanë” 172 mld

Rreth 172 mld lekë është vlera e kontratave për punë, mallra apo shërbime të shpallura fituese gjatë vitit 2024 nga institucionet shtetërore. Agjencia e Prokurimit Publik ka publikuar analizën për vitin që shkoi, teksa të dhënat tregojnë se vlera totale e kursyer e procedurave të fituara ndaj fondit total limit është 14% apo rreth 27.4 mld lekë, pa TVSH. Krahasuar me një vit më parë kjo vlerë është thuajse e njëjtë, pasi në vitin 2023 vlera e kursyer ishte sa 15% e fondit limit.

Fondi i kursyer gjatë zhvillimit të procedurave tenderuese lidhet me efektivitetin e përdorimit të fondeve publike, ndaj sa më i lartë të jetë kursimi as më i lartë është efektiviteti në përdorimin e parave publike.

Në total vitin që shkoi u shpallën 6,811 procedura tenderuese, por 1641 prej tyre u anuluan. Ndërkohë që, nga totali i procedurave të vazhduara u finalizuan me fitues 4836 prej tyre.

Ndërkaq, 115 tenderë u zhvilluan me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit që ndryshe njihen si “tenderë në tavolinë”. Këto lloj procedurash përbëjnë 2.3% tё numrit total tё procedurave tё pёrfundura me fitues. Fondi total i fituar në tenderët me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit sipas raportit të Agjencisë së Prokurimit Publik arrin në rreth 625 mln lekë apo 0.4% e fondit total të prokuruar e të finalizuar me fitues. Në krahasim me vitin 2023 kjo vlerë ka pësuar ulje të ndjeshme, pasi një vit më parë fondi total i fituar “në tavolinë” ishte 2.3 mld lekë.

Në vitin 2024, 56% e tenderëve të zhvilluar nga institucionet publike ishin për mallra, 26% për shërbime dhe 18% e tyre për punë publike. 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat