Shqipëria Postuar më 3 Shkurt 2026, 13:38

Si do të funksionojë sigurimi i detyruar në bujqësi? - Skemë më vete/ Një pjesë e primit paguhet nga shteti dhe ulet vit pas viti

Nga Elisabeta Dosku

Si do të funksionojë sigurimi i detyruar në bujqësi? -

Qeveria ka përfshirë ne skemën e sigurimit të detyrueshëm, edhe fenomenin e përmbytjeve. Por draftligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet, përfshin përcaktimin e një primi sipas hartës së rrezikut dhe klasifikimit të ndërtesave, vetëm për banesat dhe jo prodhimet bujqësore.

Ndërsa paralelisht, Ministria e Bujqësisë po harton një draft tërësisht të veçantë për sigurimin në bujqësi dhe jo vetëm nga fenomeni i përmbytjeve, por që fokusohet edhe në fenomene të tjera.

Referuar burimeve të SCAN TV, për hartimin e kësaj skeme është marrë në konsideratë modeli turk i sigurimit në bujqësi, ku pjesë e skemës është shtetit dhe kompanitë e sigurimit.

Konkretisht skema është menduar në mënyrë të tillë që një pjesë një  pjesë të primit e paguan shteti dhe një pjesë fermeri.  Skema do të ketë natyrë degresive, çka do të thotë që niveli i primit që paguan buxheti i shtetit do të ulet nga viti në vit. Për shembull,  nëse vitin e parë kjo pjesë do të jetë në nivelin 60 %, në vitin e dytë do të zbresë në 50 % dhe me radhë.

Elementet që sigurohen nga kjo skemë janë ngrica, breshëri dhe përgjithësisht temperaturat atipike që sjellin pasoja të ndryshme në prodhim, për të cilat sigurimi do të jetë i detyrueshëm.

Megjithatë, parashikohet të ketë një hartëzim të vendit ne zona te ndryshme, sipas fenomeneve më të përsëritshme që ndodhin në to.  Pra e thënë ndryshe,  produkti i sigurueshëm do të jetë i ndryshëm, në zona te ndryshme.

Kompanitë e sigurimit do të jenë ato që do të ofrojë paketën siguruese.  Ndërsa shteti në rolin kryesor nxit procesin, ndihmon që të gjeneralizohet skema, dhe në momentin që skema e sigurimit gjeneralizohet, niveli i primit fillon të bjerë, çka është në përfitim të fermerëve por edhe të buxhetit.

Zakonisht primi për këtë kategori sigurimi përcaktohet në nivelin 2-5 për qind të produktit të siguruar.

Për shembull, nëse do të ketë një breshër dhe të dëmton rreth 30 % të prodhimit, kompania e sigurimit përcakton dëmshpërblimin sipas përqindjes së vendosur.  Niveli  2 % aplikohet në rastet kur risku është i ulët dhe niveli 5 %, kur risku është i lartë.

Sigurimi i detyrueshëm në bujqësi pritet të vendoset edhe si kriter për fermerët që duan të përfitojnë nga skemat mbështetëse që aplikohen në këtë sektor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat