Shqipëria Postuar më 14 Maj 2026, 14:40

“Shqipëria më e fortë ekonomikisht dhe më pranë BE-së”/Malaj: Raportet e DASH dhe KE konfirmojnë progresin

Nga Edel Strazimiri

“Shqipëria më e fortë ekonomikisht dhe më pranë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot në Kuvend se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve 2025 dhe Raport-Progresi i Komisionit Europian konfirmojnë progresin e Shqipërisë në ekonomi, administrim fiskal dhe integrimin europian.

Gjatë fjalës së tij, Malaj theksoi se ekonomia shqiptare u rrit me rreth 4% gjatë vitit 2024, ndërsa inflacioni zbriti në 2.2%, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Ai nënvizoi gjithashtu uljen e borxhit publik nga 75% e PBB-së në vitin 2021 në rreth 55% në vitin 2024, duke e cilësuar këtë si rezultat të disiplinës fiskale dhe menaxhimit të kujdesshëm të financave publike.

Ministri vuri në dukje edhe rritjen rekord të Investimeve të Huaja Direkte, të cilat arritën në 1.7 miliardë dollarë gjatë vitit 2024, ndërsa stoku total i investimeve të huaja shkoi në rreth 16.7 miliardë dollarë.

Duke folur për sfidat, Malaj pranoi se raportet evidentojnë nevojën për forcimin e luftës kundër informalitetit dhe pastrimit të parave, por theksoi se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në këtë drejtim përmes fiskalizimit, digjitalizimit të shërbimeve tatimore dhe doganore, si dhe forcimit të administrimit fiskal.

Ai solli në vëmendje edhe vlerësimet pozitive të organizmave ndërkombëtare si FATF dhe MONEYVAL, duke theksuar se Shqipëria ka dalë nga “lista gri” që prej vitit 2023 dhe ka arritur mbi 95% përputhshmëri me rekomandimet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave.

Sa i përket raportit të Komisionit Europian, ministri theksoi se Shqipëria vlerësohet si një vend me “nivel të mirë përgatitjeje në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale”, ndërsa evidentoi progresin në hetimet financiare, sekuestrimin e pasurive kriminale, digjitalizimin e doganave dhe modernizimin e administratës tatimore.

Në përfundim, Malaj deklaroi se Shqipëria sot është “më e fortë ekonomikisht, më e qëndrueshme financiarisht dhe më afër Bashkimit Europian se kurrë më parë”, duke e cilësuar integrimin europian si një objektiv strategjik kombëtar.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat