Shqipëria Postuar më 14 Maj 2026, 12:54

363 mijë transferta në euro me SEPA në 6 muaj - Zaçaj: Janë tejkaluar bindshëm projektimet fillestare të sektorit. Reduktim 23-fish i kostove

Nga Ledina Elezi

363 mijë transferta në euro me SEPA në 6 muaj - Zaçaj:

Vetëm në gjashtë muaj, janë kryer 363 mijë transferta hyrëse dhe dalëse përmes Sistemit Unik të Pagesave në Euro, SEPA. Kështu ka deklaruar Zëvendësguvernatorja e Parë në Bankën e Shqipërisë, Holta Zaçaj, gjatë Forumit Ballkanik të Pagesave.

Vendi nisi transaksionet me SEPA më 7 tetor të vitit të kaluar dhe deri tani rezulton të ketë pasur një reduktim 23-fish të kostove të pagesave ndërkufitare në euro.

“Gjatë gjashtë muajve të parë të përdorimit, qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë dërguar dhe marrë rreth 363 mijë transferta përmes SEPA-s, me një vlerë totale prej 4.3 miliardë eurosh. Këto shifra kanë tejkaluar bindshëm projektimet fillestare të sektorit bankar. Të dhënat e Bankës Botërore nga fillimi i vitit 2026 tregojnë se kostot mesatare të transfertave ndërkufitare kanë rënë ndjeshëm. Prandaj, për transfertat me vlerë të vogël dhe mesatare, kostot mesatare kanë rënë nga 0.76% në vetëm 0.08%, ndërsa për transfertat e mëdha, ato kanë rënë në vetëm 0.02% (një reduktim 23-fish)”, tha ajo.

Sipas saj, këto shifra kanë një ndikim të fortë veçanërisht mbi remitancat, që janë një burim madhor të ardhurash për shumë familje shqiptare, teksa tarifat e ulëta përkthehen në më tepër para në dorë për ta. Gjithashtu, SEPA mbështet tregtinë dhe tërheq investitorë të huaj, duke lehtësuar klimën e të bërit biznes me partnerët e Bashkimit Evropian. Më shumë se gjysma e transfertave dalëse me SEPA rezultojnë të jenë iniciuar online.

“Një studim paraprak sugjeron se kursimet që rezultojnë si pasojë e aktivizimit të SEPA-s mund të arrijnë deri në 70 milionë euro, vetëm gjatë vitit të parë. Thjeshtësia dhe siguria e pagesave SEPA mbështesin gjithashtu digjitalizimin e pagesave. Banka e Shqipërisë ka përfituar nga kjo, duke aplikuar tavane të diferencuara për transfertat SEPA, në favor të pagesave të iniciuara në mënyrë digjitale. Në fakt, rreth 68% e transfertave dalëse janë iniciuar online”, u shpreh Zëvendësguvernatorja.

Zaçaj u ndal edhe te reformat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për modernizimin e sistemeve të pagesave dhe nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA përbën një arritje historike për integrimin financiar të vendit.

Ndrysho madhesinë
Aa

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat