Analiza Postuar më 14 Maj 2026, 12:26

Hezitojmë për fëmijën e parë, por jo për të tretin/ Çiftet e reja po shtyjnë prindërimin, ndërsa familjet me tre fëmijë rezistojnë ende

Nga Xhorxhina Deda

Hezitojmë për fëmijën e parë, por jo për të

Shqipëria po përjeton një ndryshim të fortë në modelin e lindjeve. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se në vend po pakësohen lindjet e fëmijëve të parë, ndërsa pesha e familjeve me tre fëmijë mbetet më e lartë se mesatarja europiane.

Sipas statistikave, vetëm 39.9% e bebeve të lindura në Shqipëri gjatë vitit 2024 ishin fëmijë të parë për familjet, një nivel dukshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej 46.6%. Kjo e rendit Shqipërinë mes vendeve ku çiftet po hyjnë më pak në prindërim për herë të parë.

Ndërkohë, 37.6% e lindjeve në Shqipëri ishin fëmijë të dytë, ndërsa 17.1% ishin fëmijë të tretë. Pikërisht ky tregues bie në sy në krahasim me Europën. Në BE vetëm 12.1% e lindjeve janë fëmijë të tretë, çka do të thotë se familjet shqiptare vijojnë të kenë më shpesh tre fëmijë sesa familjet europiane.

Një tjetër tregues tregon se 5.4% e bebeve të lindura në Shqipëri ishin fëmijë të katërt ose më shumë, nivel pak më i ulët se mesatarja e BE-së prej 6.2%.

Ekspertët e lidhin rënien e lindjeve të para me emigracionin e të rinjve, shtyrjen e krijimit të familjes dhe vështirësitë ekonomike. Në vitet e fundit, Shqipëria ka regjistruar rënie të vazhdueshme të lindjeve, ndërsa mosha e krijimit të familjes është rritur.

Megjithatë, të dhënat tregojnë edhe një tipar që vijon të dallojë Shqipërinë nga shumë vende europiane, familjet që vendosin të kenë fëmijë, shpesh zgjedhin të mos ndalen vetëm te një ose dy. Në raport me Bashkimin Europian, pesha e lindjeve të fëmijëve të tretë mbetet dukshëm më e lartë në Shqipëri, duke ruajtur ende modelin tradicional të familjes më të madhe.

Në krahasim me vendet e Europës, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të ulët të fëmijëve të parë. Me 39.9%, ajo qëndron në të njëjtin nivel me Letoninë, ndërsa më poshtë se vende si Italia, Gjermania, Franca apo Spanja, ku pesha e fëmijëve të parë është më e lartë. Në Portugali, për shembull, 54.6% e lindjeve janë fëmijë të parë, në Maltë dhe Luksemburg 53.9%, ndërsa në Spanjë 50.7%.

Por tabloja ndryshon kur shihet fëmija i tretë. Shqipëria, me 17.1% të lindjeve renditet pranë vendeve si Estonia apo Letonia. Vetëm pak vende në tabelë kanë peshë më të lartë, si Gjeorgjia me 20.2%.

Te fëmijët e katërt ose më shumë përqindjet më të larta në Europë i kanë Turqia me 11.5%, Sllovakia me 9.9%, Finlanda me 9.4% dhe Rumania me 9.2%.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Shqipëria 14 Maj Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan ka regjistruar rritje të lehtë të vlerës mëngjesin e sotëm pasi krahasuar me ditën e djeshme është forcuar disi duke u blerë me 80.9 lekë......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat