Shqipëria Postuar më 6 Nëntor 2025, 11:53

Sa do rriten pagat për administratën nga 1 Janari? - Rama: Indeksim i përvitshëm. Mjekët dhe policia, rritje sipas vjetërsisë në punë

Nga Elisabeta Dosku

Sa do rriten pagat për administratën nga 1 Janari? - Rama: Indeksim i

Pagat e punonjësive të sektorit publik në nivel qendror dhe vendor, do të indeksohen çdo vit në bazë të inflacionit. Kryeministri Edi Rama, njoftoi se kjo është një politikë e re pagash, që kombinohet me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë. Sipas tij. rritja nga 1 Janari 2026 për mësuesit është 3 mijë lekë në muaj, ndërsa për kategori të tjera shkon deri në 10 mijë lekë.

“10600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë do të përfitojë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj.

Për specialistët e administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja.

Mësuesit do të përfitojnë pagë, 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj.”

Ndërkohë, për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë.

“Që do të thotë si mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131.700 lekë në 143.500 lekë të reja në muaj. Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të reja në muaj. Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj”.

Po ashtu, edhe për punonjësit e policisë së shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj.

“E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave pagat rriten si më poshtë: Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në 84.500 lekë të reja, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit, që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja.

Për nënkomisaret, paga do të rritet nga 95.500 në 101 mijë lekë të reja, e cila me shtesën për kushtet e punës dhe po ashtu, për ushqimin shkon në 116 mijë lekë të reja.

Për komisarët nga 105 mijë në 110.600 dhe me shtesën për kushtet e punës, plus për ushqimin, shkon në 125.600 lekë të reja.

Dhe për drejtuesit e thjeshtë, nga 130.500, paga do të shkojë 141.450 lekë të reja, që me shtesën dhe me ushqimin bëhet mesatarisht 156.450 lekë të reja.”

Sipas kryeministrit për këtë politikë shtohen gati 100 milionë euro që në vitin e parë të këtij mandati qeverisës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat