Shqipëria Postuar më 6 Nëntor 2025, 10:22

Mbrojtja sociale, “trampolinë” drejt punësimit - Si do të ndryshojnë politikat sociale në vitin 2026?

Nga Ernilda Luzi

Mbrojtja sociale, “trampolinë” drejt punësimit - Si do

Fusha e mbrojtjes sociale mbetet një nga prioritetet e qeverisë për vitin 2026, me objektivin për të forcuar sistemin e përkujdesit ndaj shtresave në nevojë dhe për të ndërtuar një model të qëndrueshëm mbështetjeje, që i përgjigjet nevojave reale të qytetarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka parashikuar një sërë masash që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës për kategoritë më vulnerabël të shoqërisë, e cila bazohet në tre shtylla: ndihma ekonomike, aftësia e kufizuar dhe shërbimet sociale.

Referuar projekligjit për buxhetin e 2026- ës, parashikohet që numri i familjeve dhe individëve përfitues nga skema e ndihmës ekonomike të ulet, duke arritur në rreth 59 mijë përfitues në vitin 2028, ku për vitet 2026-2027 parashikohet të ulet me 1000 familje, pasi synohet punësimi i anëtarëve në moshë pune të familjeve përfituese, duke e kthyer ndihmën ekonomike në një trampolinë për integrim social dhe ekonomik.

Përsa i përket personave me aftësi të kufizuar (PAK) dhe kujdestarëve të tyre, pritet një rritje e numrit të përfituesve në 98 mijë persona deri në vitin 2028, krahasuar me 94 mijë të parashikuar në vitin 2026. Kjo rritje, në zbatim të skemës së re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, pra sipas modelit bio-psiko-social, bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetit, duke synuar një sistem më të drejtë dhe gjithëpërfshirës që kombinon mbështetjen financiare me shërbime konkrete përkujdesjeje.

Në drejtim të punësimit të grupeve të pafavorizuara, sipas projektbuxhetit, qeveria synon nxitjen e mundësive për integrim përmes ndërmarrjeve sociale, ku planifikohet punësimi mesatarisht i 150 personave çdo vit. Kjo masë mbështetet me një fond prej 80 milionë lekësh gjatë periudhës 2026–2028.

Një tjetër synim është rritja e pjesëmarrjes së personave në shërbimet sociale të financuara nga fondi social, ku pritet që numri i përfituesve të rritet nga 11 mijë në vitin 2025 në 15 mijë në vitin 2028. Paralelisht, do të zgjerohet edhe mbështetja për njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat do të ofrojnë shërbime të reja territoriale për grupet në nevojë. Deri në vitin 2028, 61 bashki do të jenë pjesë e kësaj nisme, nga 43 që parashikohen në vitin 2025, me një fond mesatar prej 400–450 milionë lekësh.

Ndërsa, për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë, ku njëri prej tyre është nën moshën 5 vjeç, parashikohet që periudha e kujdesit ndaj fëmijës do të merret si periudhë sigurimi për efekt pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje. Nga kjo skemë parashikohet të përfitojnë rreth 8.700 gra në vitin 2028, me një fond prej 870 milionë lekësh përgjatë tre viteve të ardhshme.

Po kështu, parashikohet rritja e grave dhe vajzave në nevojë të riintegruara pas trajtimit në institucionet e përkujdesit social në 55 gra dhe vajza në vitin 2028 nga 47 gra/vajza që parashikohen në vitin 2025, si dhe rritja e numrit të familjeve rome dhe egjiptiane që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike nga 2400 familje në vitin 2025 në 2700 familje në vitin 2028.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat