Shqipëria Postuar më 9 Mars 2026, 11:40

Rama: Balluku do të vazhdojë drejtuese politike e PS në qarkun Fier

Nga SCAN TV

Rama: Balluku do të vazhdojë drejtuese politike e PS në qarkun

Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se Belinda Balluku do të vazhdojë të jetë drejtuese politike në qarkun e Fierit. Sipas tij, pak kush në Partinë Socialiste i mban si Belinda Balluku kontaktet me territorin.

“E di që edhe këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore elektorale të Belindës dhe skuadrave të udhëhequra prej saj në territor burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte. Kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet e afërta vendore në qarkun e Fierit, ku ajo do të vazhdojë të drejtojë qarkun dhe nuk do të jetë më në asnjë pushtet ekzekutiv. Por ajo që unë di me siguri është një gjë tjetër: që pakkush nga ne këtu i mban si Belinda Balluku kontaktet me territorin, duke shkuar rregullisht në zonat që mbulon si drejtuese politike”, theksoi Rama.

Më tej, Rama u ndal tek fakti se ndryshimet në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë në Shqipëri janë rezultat i punës së qeverisë, duke vlerësuar kontributin e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij nga Kryesia e Kuvendit, Rama u ndal edhe te reagimet dhe debatet publike që kanë shoqëruar akuzat ndaj Ballukut.

“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër dhe fatkeqësisht të bërë zakon nga grupet hetimore të ‘Stacionit të Trenit’, të cilat i përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe të asgjësimit publik të subjekteve të tyre, mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngrihen të tëra dallgët e detit të urrejtjes që ziejnë e ziejnë pa pushim në 700 tenxheret e pazarit tonë politik e mediatik dhe të mblidhen të tëra retë e fantazive perverse të rrjeteve sociale, për ta kthyer njeriun në një kriminel me 300 vila, dy jahte dhe 10 mijë euro solucione magjike për një larje makine”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi kryeministri, “sipas tyre, rrugët e ndërtuara në periudhën e drejtimit të saj u shembën të gjitha nga korrupsioni, shirat u derdhën me gjyma dhe përmbytjet mbuluan edhe malet e Shqipërisë nga mungesa e kanaleve të vjedhura prej saj; deti u bë kos për qerthullin e pazarit politik dhe mediatik dhe erdhi më në fund, me thirrje historike për jashtëderdhje në Bulevard, shumëpritura ora e hakmarrjes së madhe ndaj njeriut që e çoi Partinë Demokratike për ‘jufka’ në Dibër dhe e asfaltoi krejt në Fier. Megjithë ‘gazin e Zegjinesë’, (burri i parë në historinë e Europës që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë, mëshirë Zegjine)”, tha Rama.

Por, shtoi Rama, “ndërkohë që Belinda Balluku u kthye në shtrigën që duhet djegur në turrën mesjetare të druve me zjarr molotovësh dhe tërë fondet e mobilizuara si asnjëherë më parë në këto vite nga burimet e shtetit, të organizmave financiare ndërkombëtare apo të sipërmarrjes private për infrastrukturën u kthyen në para të grabitura prej asaj vetë, unë pikërisht sot dua t’u them shqiptarëve se ndryshimin epokal që vazhdon dhe do të vazhdojë në sektorin e infrastrukturës dhe në sektorin energjetik të vendit tonë nuk e solli koha, nuk e sollën as thjesht paratë”.

Rama shtoi se, “para janë harxhuar plot edhe më parë për ato rrugët e lëna rrugëve. Nuk e solli askush dhe asgjë tjetër përpos votës së tyre për këtë parti, për qeverinë e kësaj partie, ku bën pjesë edhe Belinda Balluku si anëtare e Kryesisë së PS-së, si një ndër njerëzit tanë më të votuar dhe më të mbështetur nga zgjedhësit, e cila për 6 vjet me radhë drejtoi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë duke punuar pa orar, duke luftuar pa rezervë për të realizuar në afat dhe në cilësi objektivat ambiciozë të programit tonë qeverisës mes 1001 vështirësish në këta dy sektorë që e kanë vuajtur gjatë prapambetjen historike për shumë arsye”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat