Pritja mbaroi, hyn në fuqi rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, del udhëzimi i Financave (UDHËZIMI)

Pritja për hyrjen në fuqi të rivlerësimit të radhës së pasurive të paluajtëshme ka përfundur. Sot ka dalë në fletoren zyrtare udhëzimi që i hap rrugën procesit. Në udhëzim thuhet se të drejtën e kryerjes së rivlerësimit e kanë të gjithë ata individë që kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026. Gjithashtu rivlerësimi mund të kryhet edhe për ato pasuri që e kanë kaluar një herë këtë proces. Në rastet kur individi ka më shumë se një pasuri në pronësi rivlerësimi do të bëhet për secilën në mënyrë individuale. Në udhëzim është specifikuar se i gjithë procesi do të realizohet online, me dy procedura, me ekspert të licencuar ose pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Kur një individ zgjedh që rivlerësimin ta bëjë në ASHK, vlera e pronës së tij i afrohet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi. “Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu”, thuhet në udhëzim.
Ndërsa kur rivlerësimi bëhet me ekspert të licencuar, vlera e pronës mund të dalë edhe më e lartë. “Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal”, vijon udhëzimi. Për herë të parë në këtë proces që synon të afrojë vlerën e pronës me çmimet reale të tregut do të njihet edhe amortizimi i pronës, 1% për çdo vit vjetërsie.
“Në rastin e ndërtesave, çmimeve të referencës do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë. Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme ndërtesa. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës të përcaktuar në VKM-në 2 në zbatim të neneve 21, pika 2, 22, pika 5, 22/1, 22/3 dhe 22/4 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, theksohet në udhëzim.
UDHËZIM I PËRBASHKËT
Nr. 5, datë 19.2.2026
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË ZBATIMIT TË LIGJIT NR. 85/2025,
“PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”, PËR LLOGARITJEN E
BAZËS SË TATUESHME, PARAQITJEN DHE ADMINISTRIMIN E KËRKESËS
PËR RIVLERËSIM, PAGESËN E TATIMIT TË RIVLERËSIMIT, RREGULLAT E
PROCEDURAT PËR PASQYRIMIN E RIVLERËSIMIT TË PASURISË NË
REGJISTRAT E PASURIVE TË PALUAJTSHME, PAGESËN E TË ARDHURAVE
NGA TATIMI I RIVLERËSIMIT NË BUXHETIN E SHTETIT, SI DHE PËR
PËRCAKTIMIN E TARIFËS SË KRYERJES SË SHËRBIMEVE
Në mbështetje të nenit 102, pika 4, e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe nenit 3,
të ligjit nr. 85/2025, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, ministri i Financave dhe
drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës,
UDHËZOJNË:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË
PALUAJTSHME PËR INDIVIDËT
1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose
ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026,
kanë të drejtë që brenda afatit të përcaktuar në ligjin nr. 85/2025, “Për rivlerësimin e pasurisë
së paluajtshme” (këtu e më poshtë “ligji”), të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e
tregut. Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë
rivlerësimi, në zbatim të ligjeve të mëparshme të rivlerësimit.
2. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë pranë
drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK), apo me një ekspert të
licencuar nga institucionet përkatëse për vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Për të përfituar
nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi
duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (5% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e
kryerjes së shërbimit, sipas ligjit dhe këtij udhëzimi.
3. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë
rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej
këtyre pasurive.
II. LLOGARITJA E BAZËS SË TATUESHME PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË PËR
INDIVIDËT
1. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me
çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit
dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për
tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”. Në këtë rast, baza e
tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve
minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu.
1.1 Çmimi minimal fiskal, bazuar në udhëzimin e përbashkët nr. 34/2023, “Për tatimin e
kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”, do të konsiderohet çmimi i
referencës për pasurinë e paluajtshme ndërtesa dhe sipas hartës së vlerave për pasurinë e
paluajtshme tokë.
a) Në rastin e ndërtesave, çmimeve të referencës do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të
plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë.
Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme ndërtesa. Kjo
zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës të përcaktuar në VKM-në
2
në zbatim të neneve 21, pika 2, 22, pika 5, 22/1, 22/3 dhe 22/4 të ligjit nr. 9632, datë
30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.
b) Në rastin e tokave çmimi minimal fiskal është çmimi për metër katror sipërfaqeje, të
përcaktuar në hartën e vlerave, sipas aktit nënligjor në fuqi në datën e rivlerësimit.
2. Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e
tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë
dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga
eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.
3. Vlera e zbritshme, si në rastin e pikës 1 dhe në atë të pikës 2 të këtij kreu, është vlera e
pasurisë sipas aktit të fundit të regjistruar pranë organit kompetent për regjistrimin e pasurive
të paluajtshme (qoftë kontratë blerje, shkëmbim, trashëgimi, dhuratë, heqje dorë, apo
rivlerësim i pasurisë së paluajtshme), për të cilin është llogaritur dhe paguar tatimi.
3.1 Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa vlerë, për të përcaktuar
vlerën e zbritshme, si vlerë regjistrimi do të konsiderohet vlera sipas parashikimeve të
paragrafit 3.2 të udhëzimit të përbashkët nr. 34/2023.
Konkretisht, në rastet kur nuk mund të përcaktojmë një vlerë të zbritshme, sipas
parashikimeve të pikës 3 të këtij kreu, atëherë vlera e zbritshme do të jetë si në vijim:
a) Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara në DVASHK, të cilat nuk kanë vlerë të
regjistruar, ose vlera e regjistruar është e shprehur në monedha të tilla, si franga ari, apo
napolona floriri, si dhe për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për
privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, për efekt të përcaktimit të tatimit mbi
rivlerësimin, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit për metër katrorë e
përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave, në vitin e regjistrimit të
pasurisë së paluajtshme.
Për ndërtesat e përfituara në rastet e trashëgimisë, dhuratave apo heqjes dorë, për të cilat
nuk ka qenë regjistruar vlerë e pronës, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit
për metër katrorë, e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave në
datën e regjistrimit të aktit.
b) Për tokën, në të gjitha rastet, nëse nuk ka një vlerë në regjistrim, si vlerë e zbritshme do
të merret vlera e llogaritur, duke përdorur indeksimin e çmimit të tokës sipas hartës së
vlerave, me inflacionin mesatar vjetor të llogaritur për vitin në të cilin është fituar pronësia,
sipas aneksit nr. 1 bashkëngjitur udhëzimit të përbashkët nr. 34/2023.
III. PARAQITJA DHE ADMINISTRIMI I KËRKESËS PËR RIVLERËSIM NGA
INDIVIDËT
1. Individi ose përfaqësuesi i tij aplikon online për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë,
nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania, me kërkesën sipas modelit të shtojcës nr.1,
bashkëlidhur këtij udhëzimi. Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar që pasqyron
regjistrimin e shërbimit të rivlerësimit, ai duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me
kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme ose kartelë jopërfundimtare (për pasuritë që
ndodhen në zona që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar).
Aplikimi për shërbimet i drejtohet drejtorisë/zyrës vendore të ASHK-së, e cila është
kompetente për territorin ku gjendet pasuria e paluajtshme.
1.1 Individi në aplikimin online për shërbimin për rivlerësimin e pasurisë duhet të plotësojë
në rubrikat përkatëse të platformës e-Albania, të dhënat identifikuese të pasurisë që kërkohet
të rivlerësohet. Nëse individi nuk plotëson rubrikat që identifikojnë pasurinë, ai duhet,
detyrimisht, të ngarkojë në platformë kopje të skanuar të dokumentit të pronësisë që disponon
për pasurinë.
1.2 Punonjësi i drejtorisë vendore të ASHK-së shqyrton aplikimin, duke verifikuar:
a) identifikimin e pasurisë, sipas përcaktimeve të pikës 1.1 të këtij kreu; dhe
b) legjitimimin e individit aplikues.
3
Punonjësi verifikon nëse individi që ka paraqitur kërkesën për rivlerësim (ose i
përfaqësuari) është pronar, apo një nga bashkëpronarët e pasurisë që kërkohet të rivlerësohet.
Nëse nuk përmbushen kushtet e mësipërme, individi njoftohet nëpërmjet platformës, për të
identifikuar pasurinë ose për mosvijimin e aplikimit (në rast moslegjitimimi).
1.3 Nëse aplikimi i përmbush kushtet e pikës 1.2 të këtij kreu, vijohet me llogaritjen e
tatimit të rivlerësimit, sipas rregullave të kreut II të këtij udhëzimi, duke hartuar faturën për
arkëtim brenda 2 (dy) ditëve pune, nga momenti i paraqitjes së kërkesës.
1.4 Fatura për arkëtim plotësohet sipas modelit të shtojcës nr. 3 bashkëlidhur, që është
pjesë përbërëse e këtij udhëzimi. Fatura gjenerohet në mënyrë elektronike nga drejtoria
vendore e ASHK-së dhe së bashku me tarifat e shërbimit, i dërgohet aplikuesit nëpërmjet
portalit qeveritar e-Albania.
1.5 Në rastet kur individi kërkon rivlerësimin e pasurisë sipas aktit të ekspertit, individi
nëpërmjet platformës e-Albania, në dokumentacionin shoqërues gjatë kërkesën për
rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të pasurisë, të
nënshkruar dhe vulosur në mënyrë elektronike nga eksperti, si dhe fotokopje e njësuar e
licencës së tij. Me përcjelljen e këtyre dy dokumenteve, si më sipër, drejtoria vendore e
ASHK-së vijon procedurat për përllogaritjen e tatimit të rivlerësimit dhe i njofton subjektit
vlerën e tatimit të rivlerësimit dhe tarifave të shërbimit.
IV. PAGESA E TATIMIT DHE E TARIFËS SË SHËRBIMIT TË RIVLERËSIMIT NGA
INDIVIDËT
1. Pasi individi ose përfaqësuesi ligjor është pajisur me faturën për arkëtim (shtojca nr. 3
bashkëlidhur këtij udhëzimi), ai paguan faturën për arkëtim dhe drejtoria vendore e ASHK-së
kryen konfirmimin e shlyerjes së pagesës së tatimit të rivlerësimit dhe të tarifave të shërbimit.
2. Pas verifikimit të shlyerjes së pagesës së tatimit të rivlerësimit dhe të tarifave të
shërbimit, aplikimi i individit konsiderohet i plotësuar dhe ASHK-së i lind detyrimi për të
pasqyruar rivlerësimin në regjistrin e pasurive të paluajtshme, sipas rregullave të parashikuara
në kreun V të këtij udhëzimi.
V. RREGULLAT DHE PROCEDURAT PËR PASQYRIMIN E RIVLERËSIMIT TË
PASURISË NË REGJISTRAT E PASURIVE TË PALUAJTSHME
1. Drejtoria vendore e ASHK-së, brenda 5 ditëve nga verifikimi i pagesës së tatimit të
rivlerësimit të pasurisë dhe tarifave të shërbimit, duhet të kryejë shënimet përkatëse në
regjistrat e pasurive të paluajtshme, për pasqyrimin e rivlerësimit, nëpërmjet punonjësit të
ngarkuar me këtë detyrë. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të
rivlerësimit.
2. Punonjësi i ASHK-së kryen shënimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme,
bazuar në dokumentacionin tekniko-ligjor, sipas rasteve të parashikuara më poshtë:
2.1 Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, figuron e regjistruar në regjistrat
kadastralë dhe ndodhet në një zonë që i është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar,
pasqyrimi i rivlerësimit të pasurisë kryhet në seksionin “A” të kartelës së pasurisë.
Në këtë seksion do të regjistrohet data e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shuma e
rivlerësimit dhe arkivohet dokumentacioni në referencën përkatëse.
2.2 Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, ndodhet në një zonë që i është nënshtruar
regjistrimit fillestar, por kjo pasuri nuk figuron e regjistruar në regjistrin kadastral, subjekti
fillimisht duhet të aplikojë nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania për regjistrimin e kësaj
pasurie, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe të VKM-në
nr. 389/2020, “Për miratimin e listës dhe tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar,
duke depozituar titullin e pronësisë dhe dokumentacionin provues për regjistrim. Vetëm pas
regjistrimit të kësaj pasurie në regjistron kadastral, subjektit i lind e drejta të aplikojë për
rivlerësimin e kësaj pasurie, sipas përcaktimeve dhe brenda afatit të parashikuar në këtë
udhëzim.
4
2.3 Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, gjendet në një zonë kadastrale që nuk i
është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar, procedohet me pasqyrimin e vlerës së
rivlerësimit në regjistrin përkatës hipotekar apo në kartelat jopërfundimtare, duke pasqyruar
datën e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shumën përkatëse të rivlerësimit dhe
referencën arkivore përkatëse.
Në përfundim të procesit të regjistrimit fillestar, shënimet e mësipërme të rivlerësimit
pasqyrohen në kartelat e pasurive të paluajtshme, produkt i këtij procesi, në rastet kur titulli i
pronësisë konstatohet se është në përputhje me ligjin. Përjashtimisht, në rastet kur refuzohet
regjistrimi i titullit të pronësisë, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për
kadastrën”, dhe të ligjit nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në
RSH”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre, vlera e rivlerësimit nuk pasqyrohet në
kartelën e pasurisë së paluajtshme dhe shuma përkatëse nuk i kthehet subjektit.
VI. RIVLERËSIMI I PASURIVE TË PALUAJTSHME TË PERSONAVE JURIDIKË
1. Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruara në pasqyrat financiare të vitit 2025, në
zërin aktive afatgjata materiale, pasuri të paluajtshme me vlerë kontabël më të vogël se vlera e
tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin e këtyre
pasurive të paluajtshme me vlerën e tregut. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga vlerësues
të pasurisë, ekspertë të pavarur të licencuar nga institucionet përkatëse për vlerësimin e
pasurisë së paluajtshme.
2. Përfaqësuesi i personit juridik paraqet pranë drejtorisë rajonale tatimore, ku personi
juridik është i regjistruar, dokumentet e mëposhtme:
a) deklarimin vullnetar për rivlerësimin e pasurisë, sipas shtojcës nr. 2 bashkëlidhur këtij
udhëzimi;
b) prokurën për përfaqësuesin ligjor, nëse kjo procedurë kryhet nga një përfaqësues ligjor i
caktuar prej tij;
c) kopje të licencës së ekspertit të pavarur të vlerësimit të pasurisë;
d) kopje të faturës së shërbimit të ekspertit të vlerësimit të pasurisë;
e) aktin origjinal të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, të nënshkruar dhe të vulosur nga
vlerësuesi i pasurisë;
f) pasqyrën financiare (bilancin kontabël) të vitit 2025, ku rezulton e regjistruar në zërin
aktive afatgjata materiale, pasuria e paluajtshme që rivlerësohet, përfshirë anekset shpjeguese
për aktivin afatgjatë material që rivlerësohet;
g) kopjen e mandatit të pagesës për vlerësimin e pasurisë, në masën 5% të diferencës,
ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël për pasuritë e paluajtshme të regjistruara
në pasqyrat financiare. Pagesa kryhet në njërën nga bankat e nivelit të dytë për llogari të
thesarit të Ministrisë së Financave, sipas formatit të përcaktuar në shtojcën nr. 4 bashkëlidhur
këtij udhëzimi.
Personi juridik mban një kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse
të pasurisë së paluajtshme që nga momenti i njohjes fillestare të aktivit dhe tatimin përkatës,
të paguar sipas legjislacionit në fuqi.
2.1 Data e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme konsiderohet data e pagesës së kryer, siç
përcaktohet në pikën 4, të nenit 2, të ligjit nr. 85/2025, “Për rivlerësimin e pasurisë së
paluajtshme”.
2.2 Diferenca midis vlerës që rezulton nga rivlerësimi, sipas aktit përkatës të ekspertit dhe
vlerës kontabël të regjistruar në pasqyrat financiare, regjistrohet përkatësisht në zërin përkatës
të pasqyrave financiare, në përputhje me ligjin nr. 25, datë 10.5.2018, “Për kontabilitetin dhe
pasqyrat financiare”, si dhe në përputhje me ligjin nr. 29, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të
ardhurat”, të ndryshuar. Kjo vlerë nuk është objekt amortizimi për qëllime tatimore.
2.3 Pasqyrave financiare për rivlerësimet që kryhen brenda periudhës gjatë së cilës i shtrin
efektet ligji, sipas nenit 4 të tij, u bashkëlidhen pasqyrat analitike të vlerës kontabël të
pasurive të paluajtshme të rivlerësuara.
5
VII. PAGESA E TË ARDHURAVE NGA TATIMI I RIVLERËSIMIT NË BUXHETIN E
SHTETIT
1. Pagesa e tatimit nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme kryhet sipas modeleve të
formularit të faturës për arkëtim, përkatësisht, për individët (shtojca nr. 3) ose për personat
juridikë (shtojca nr. 4), që i bashkëlidhen këtij udhëzimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Individëve iu vihet në dispozicion formulari i faturës nga drejtoritë/zyrat vendore të
ASHK-së, nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania.
3. Personave juridik iu vendoset në dispozicion formulari nga degët përkatëse të bankave.
Gjithashtu, ky formular mund të shkarkohet edhe elektronikisht në faqen zyrtare të DPT-së.
4. Për personin juridik është e detyrueshme që, përveç të dhënave të nënshkruesit, në
faturën për arkëtim të plotësohen, gjithashtu, emri i personit juridik (shoqërisë) dhe
NIPT/NUIS. Pas verifikimit për plotësimin e të dhënave të plota, banka në zbatim të
marrëveshjes dypalëshe me Ministrinë e Financave pranon të kryejë arkëtimin, duke
evidentuar llojin e së ardhurës, si dhe kodin e institucionit, sikurse është përcaktuar në
“Faturën për arkëtim”, në bazë të kodit të të cilave do të kryhet kontabilizimi në sistemin
informatik financiar të qeverisë (SIFQ).
5. Tatimi mbi të ardhurat nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme (5%), që paguhet nga
individi, arkëtohet në një llogari të veçantë të hapur nga çdo drejtori vendore e ASHK-së
pranë bankave të nivelit të dytë. Drejtoritë vendore të ASHK-së operojnë si agjentë tatimorë
për arkëtimin në buxhetin e shtetit të këtyre të ardhurave. Brenda datës 10 të muajit pasardhës,
vlera e tatimit kalohet në llogarinë e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në buxhetin e
shtetit në kodin e të ardhurave 7020900, në drejtoritë tatimore përkatëse.
Brenda së njëjtës datë (të çdo muaji pasardhës), drejtoritë vendore të ASHK-së dërgojnë në
drejtoritë tatimore përkatëse evidencën manuale dhe/ose elektronike, me të dhënat e individit
që ka kryer rivlerësimin e pasurisë, si dhe shumën e tatimit të llogaritur nga rivlerësimi.
6. Llogaritja dhe arkëtimi i tatimit 5% për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të
personave juridikë bëhet nga drejtoritë rajonale tatimore përkatëse. Ky tatim llogaritet si
diferencë ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të pasurisë të regjistruar në
pasqyrat financiare të vitit 2025. Kontabilizimi i tatimit nga rivlerësimi i pasurisë së
personave juridikë (5%) do të bëhet në llogarinë ekonomike të të ardhurave 7020400, për
llogari të buxhetit të shtetit.
Banka transferon arkëtimet në llogaritë bankare përkatëse në emër të degës së thesarit të
çdo rrethi për çdo drejtori rajonale tatimore, sipas kodeve përkatëse të çdo drejtorie.
Drejtoritë rajonale tatimore, çdo muaj, bëjnë rakordimin me degën e thesarit për arkëtimet
e kryera, në përputhje me këtë udhëzim.
7. Në raste të derdhjeve gabim të tatimit të rivlerësimit për individët dhe detyrimit për të
kthyer tërësisht ose pjesërisht shumën, drejtoritë vendore të ASHK-së hartojnë
dokumentacionin justifikues për kthimin e shumës tek individi, pas kërkesës së individit.
7.1. Në rast se individi paraqet kërkesën për kthim shume, brenda datës 10 të muajit
pasardhës, drejtoria vendore e ASHK-së bën drejtpërdrejt kthimin e shumës së arkëtuar
gabim. Nëse është tejkaluar ky afat dhe të ardhurat kanë kaluar në buxhetin e shtetit,
kërkesën, individi duhet ta paraqesë për kthimin e shumës së mbajtur gabim pranë drejtorisë
tatimore përkatëse.
7.2. Në funksion të kthimit të shumës së mbajtur gabim, drejtoria vendore e ASHK-së
dërgon dokumentacionin justifikues provues pranë drejtorisë tatimore përkatëse, e cila pas
administrimit të dokumentacionit kthen shumën e mbajtur gabim tek individi.
VIII. TARIFA E SHËRBIMIT
1. Tarifa për shërbimin e rivlerësimit për individët, pranë ASHK-së, është si më poshtë:
Nr. Vlera e tatimit 5% i rivlerësimit
që do të derdhet në buxhet
Tarifa e shërbimit
për rivlerësimin e pasurisë
6
1 Deri në 150,000 lekë 3,500 lekë
2 150,001–300,000 lekë 7,000 lekë
3 Mbi 300,001 lekë 10,000 lekë
2. Ky shërbim do të ketë kodin RVP në kërkesën për rivlerësim.
IX. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Pas kryerjes së rivlerësimit për individët, sipas këtij udhëzimi, në rastet e kalimit të së
drejtës së pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme të rivlerësuar, në zbatim të ligjit nr. 29, datë
30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi
mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë,
me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.
2. Aplikimet për rivlerësim të pasurive të cilat paraqiten pranë ASHK-së, brenda datës 31
dhjetor 2026, por nuk janë përfunduar, procedohen edhe pas kësaj date, nëse tatimi i
rivlerësimit paguhet brenda datës 31 mars 2027.
3. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për
zbatimin e këtij udhëzimi.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
MINISTËR I FINANCAVE
Petrit Malaj
DREJTOR I PËRGJITHSHËM
I AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS
Lorena Goxhobelli
Përfundon mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut/ PS: Mjafton masa e pezullimit
Këshilli i Mandateve është mbledhur sot në orën 10:00 për të diskutuar kërkesën e SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres Belinda......
Zanati i bukëbërësit po zhduket - Shoqata “sytë” nga shteti për të shpëtuar sektorin
Në mes të mungesës së fuqisë punëtore në tërësi, tashmë edhe furrat e bukës kanë mungesë të bërësve, duke e konsideruar si zanat në zhdukje. Shopqata e......
Sa noterë për frymë kemi në Shqipëri? Shpërndarja sipas qarqeve. Tirana, Durrësi dhe Vlora kryesojnë
Në Shqipëri, noterët janë pjesë thelbësore e sistemit ligjor dhe ekonomik, duke ofruar shërbime të tilla si kontratat, regjistrimet dhe certifikatat ligjore.......
Konsumatorët britanikë rritën shpenzimet - Me ritmin më të shpejtë në gati 4 vjet
Vëllimet e shitjeve me pakicë në Britani u rritën në janar me ritmin më të shpejtë vjetor në gati katër vjet, sipas të dhënave zyrtare që sugjerojnë se......
Ibrahimaj dhe Malaj takim zyrtar ndërmjet përfaqësuesve të dy ministrive për forcimin e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri–Poloni
Një delegacion i nivelit të lartë nga Shqipëria zhvilloi një takim zyrtar me përfaqësues të Ministrisë së Financave të Polonisë, me fokus forcimin e......
Mallra me vlerë mbi 430 euro në valixhe, detyrim për deklarim - Cilat janë rregullat e taksimit për udhëtarët që hyjnë në Shqipëri?
Me shtimin e fluksit të lëvizjeve gjatë periudhës së pranverës dhe verës, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave informon udhëtarët që hyjnë në Shqipëri mbi......
Një shtëpi 80 mijë euro? Ja sa të kushton realisht kredia - Analizë/ Komisionet dhe shpenzimet e tjera që rrisin barrën financiare të qytetarit
Sa është interesi dhe kësti mujor për një kredi prej 80,000 eurosh, është pyetja që bëjmë zakonisht kur duam të marrim një kredi për shtëpi. Megjithatë,......
Tjetër vonesë për propozimin “Made in Europe” - Divergjenca të forta mes shteteve anëtare të BE
Komisioni Evropian do të shtyjë përsëri prezantimin e planit të bllokut për të riindustrializuar ekonominë evropiane, tha të hënën kabineti i Komisionerit të......


