Shqipëria Postuar më 23 Shkurt 2026, 12:30

Një shtëpi 80 mijë euro? Ja sa të kushton realisht kredia - Analizë/ Komisionet dhe shpenzimet e tjera që rrisin barrën financiare të qytetarit

Nga Ledina Elezi

Një shtëpi 80 mijë euro? Ja sa të kushton realisht kredia -

Sa është interesi dhe kësti mujor për një kredi prej 80,000 eurosh, është pyetja që bëjmë zakonisht kur duam të marrim një kredi për shtëpi. Megjithatë, përveç interesit dhe këstit, pas procesit të aplikimit dhe shlyerjes së një kredie fshihen kosto më të larta për qytetarin.

Këto kosto përfshijnë edhe komisionet që i paguhen bankës, sigurimin e jetës dhe të shtëpisë që janë të detyrueshëm, shpenzimet noteriale dhe të hipotekës.

Komisionet që aplikohen gjithmonë dhe nga të gjitha 11 bankat tregtare në vend janë komisionet e disbursimit, komisionet për shlyerje të parakohshme të kredisë dhe penalitete për shlyerje të vonuar. Bankat e mëdha aplikojnë një numër më të vogël komisionesh se bankat e tjera më të vogla.

Në varësi të bankës ku ju do merrni kredinë, mund të keni edhe komisione të tjera, si ai i mirëmbajtjes së llogarisë së kredisë, komision për ndryshimin e kontratës dhe ristrukturimin e huasë.

Nëse unë dua të blej një shtëpi me vlerë 80,000 euro, banka financon maksimumi 85% të kësaj vlere, ndërsa 15% do ju mbeten ju. Pra për një shtëpi prej 80,000 eurosh, banka do japë maksimumi vetëm 68,000 euro dhe ju do i mbuloni vetë 12 mijë eurot e mbetura.

Për 68,000 euro, interes 4% dhe afat shlyerje 300 muaj, pra 25 vjet në një nga bankat më të mëdhaja në vend, kësti mujor do të ishte 358 euro. Në fund të 25 viteve, ti do i kesh paguar bankës vlerën e plotë të kredisë që ke marrë dhe përafërsisht 39 mijë euro interes, në total rreth 107 mijë euro.

Po nëse llogarisimin edhe komisionet?

Komisioni i disbursimit i cili paguhet vetëm një herë kur kalon kredia është 1% e vlerës totale të saj në shumicën e bankave, pra 680 euro. Në rast se ndodh që ta vonosh një muaj këstin e kredisë, do të paguash edhe 64 euro të tjera. Po ashtu, nëse e mbyll kredinë para afatit, paguan 1% mbi shumën e mbetur në momentin e mbylljes. Për shembull, nëse pas disa viteve të kanë mbetur 10,000 euro, do të paguash edhe 100 euro të tjera. Në total, 844 euro komisione në rastin më të mirë.

Të gjitha deyrimet e kredisë arrijnë gati 110 mijë euro, duke përfshirë në mënyrë të rrumbullakosur dhe shpenzimet e tjera noteriale apo të hipotekës të cilat shkojnë mbi 1000 euro dhe e rrisin akoma më shumë barrën e huasë për qytetarët, si dhe përjashtuar sigurimin e jetës, shtëpisë.

Kështu, të marrësh një kredi nuk është aq e thjeshtë sa duket në fillim, duke marrë parasysh kostot që dalin gjatë gjithë procesit të aplikimit e deri në shlyerje.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat