Shqipëria Postuar më 3 Dhjetor 2025, 13:09

Përmbyllet projekti “ProTax Albania”/ Malaj: Reforma e taksës së pasurisë, kyçe për një sistem modern sipas standardeve europiane

Nga SCAN TV

Përmbyllet projekti “ProTax Albania”/ Malaj: Reforma e

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në eventin e mbylljes së projektit “ProTax Albania”. Të pranishëm në këtë event ishin dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, Ambasadori i Suedisë në Tiranë, z. Niklas Storm, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, z. Arben Seferaj, Menaxheri i Projektit, z. Bjarni Sigurdsson, si dhe drejtues të disa bashkive në vend.

Në fjalën e tij, Ministri Malaj vlerësoi rëndësinë e projektit “ProTax Albania”, i cili është në linjë me reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare, në kuadër edhe të procesit të integrimit të vendit në BE.

Qëllimi kryesor, tha z. Malaj, është garantimi i një taksimi të drejtë dhe efikas të pronës në Shqipëri, si dhe forcimi i rolit të bashkive për mbledhjen e kësaj takse shumë të rëndësishme.

Zbatimi i projektit synonte garantimin e reformës së taksës së pasurisë, bazuar në vlerën e tregut, krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë dhe ndërtimin e Kadastrës Fiskale.

Ministri informoi se tashmë është përfunduar hartimi i projektligjit të ri për Taksën e Pasurisë, i cili do të miratohet së shpejti në Këshillin e Ministrave, ndërkohë që është ngritur Kadastra Fiskale, me informacione të qendërzuara, bazuar në një sistem unik dhe me standarde europiane.

Megjithatë, z. Malaj tha se  rrugëtimi drejt reformimit të plotë nuk ka përfunduar, ndërsa theksoi se Taksa mbi pronën duhet të jetë taksa më kontributive dhe më e rëndësishme për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Garantimi i mbledhjes së kësaj takse, tha z. Malaj, nuk duhet të konsiderohet vetëm si më shumë të ardhura në buxhetin e bashkive, por më shumë shërbime për qytetarët, në më shumë investime publike, por mbi të gjitha në pavarësi financiare.

“Sot, të ardhurat nga kjo taksë në Shqipëri zënë rreth 0.3% të  Prodhimit të Brendshëm Burto, në një kohë kur vendet e Rajonit arrijnë të mbledhin të ardhura në rreth 0.8% të PBB-së.  Objetivi ynë është që ta çojmë peshën e kësaj takse në rreth 1% të PBB-së, në linjë edhe me standardet që kanë vendet e OECD-së.”, u shpreh z. Malaj.

Ky objektiv, shtoi më tej Ministri, është tërësisht i realizueshëm dhe për këtë duhet një bashkëpunim akoma më i madh ndërinsitucional, e veçanërisht me Njësitë e Pushtetit Vendor. 

Projektbuxheti 2026 ka parashikuar një rritje të mëtejshme të të ardhurave nga kjo taksë për llogari të bashkive në vlerën 10 miliardë lekë ose rreth 1.4 miliardë lekë më shumë sesa në vitin 2025. Por, pavarësisht se do të ketë një ligj të ri dhe Kadastra Fiskale funksionale, Ministri tha se kjo reformë nuk mund të materializohet pa angazhimin e plotë të bashkive për të garantuar zbatimin sa më efikas.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

Sot, ne si Ministri e Financave, në bashkëpunim edhe me Agjencinë Suedeze për Zhvillim,  përmbyllim një projekt tejet të rëndësishëm, siç është “ProTax Albania” e që ka të bëjë me reformën e Taksës së mbi Pronën.

Ky projekt është i një rëndësie të veçantë dhe tërësisht në linjë me reformat që kjo qeveri po ndërmerr, edhe në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë një taksim të drejtë dhe efikas të pronës në Shqipëri, si dhe të forcojmë rolin e bashkive për mbledhjen e një prej taksave më të rëndësishme, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Zbatimi i një sistemi funksional, të unifikuar dhe sipas standardeve europiane edhe pse është një sfidë, është tërësisht i realizueshëm, ndaj dhe sot jemi këtu për të prezantuar rezultatet konkrete që kemi arritur.  

E kemi nisur këtë rrugëtimin si fillim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke identifikuar dhe analizuar problematikat që karakterizonin taksën mbi pronën.

Më pas, me Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim / SIDA-n dhe me Administratën Tatimore të Suedisë nisëm zbatimin e projektit “ProTax Albania” për të garantuar :

·        Reformën e taksësë së pasurisë, bazuar në vlerën e tregut, për ta bërë sa më të drejtë, efektive dhe transparente, por edhe për ta kthyer në një burim kryesor të të ardhurave për njësitë e vetqeverisjes vendore;

Krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, pranë Ministrisë së Financave;
Si dhe ndërtimin e Kadastrës Fiskale, si i vetmi sistem kombëtar, që unifikon të gjithë informacionin mbi njësitë e  ndërtimit.
Është e vërtetë që u deshën gati 7 vjet, pas një procesi shumë kompleks, që u vështirësua jo pak, për shkak të Tërmetit të vitit 2019, por edhe Pandemisë, për të arritur sot në këtë stad ku jemi.

Tashmë, kemi përfunduar hartimin e projektligjit të ri për Taksën e Pasurisë, i cili ka kaluar të gjitha fazat e konsultimit publik dhe që shumë shpejt do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave për miratim.

Sot, mund të themi me plot besim se kemi një Kadastër Fiskale funksionale, me informacione të qendërzuara, bazuar në një sistem unik dhe me standarde europiane.

Por, rrugëtimi drejt reformimit të plotë nuk ka përfunduar ende.

E them këtë sepse është e nevojshme që të theksoj se Taksa mbi pronën duhet të jetë taksa më kontributive dhe më e rëndësishme për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Garantimi i mbledhjes së saj, nuk mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm si më shumë të ardhura në buxhetin e bashkive, por duhet të përkthehet në më shumë shërbime për qytetarët, në më shumë investime publike, të cilat nga ana tjetër përkthehen edhe në një mirëqenie për komunitetet ku ju veproni. Nga ana tjetër, kjo taksë do t’i garantojë bashkive një pavarësi financiare.

Sot, të ardhurat nga kjo taksë në Shqipëri zënë rreth 0.3% të  Prodhimit të Brendshëm Burto, në një kohë kur vendet e Rajonit arrijnë të mbledhin të ardhura në rreth 0.8% të PBB-së.

Objetivi ynë është që ta çojmë peshën e kësaj takse në rreth 1% të PBB-së, në linjë edhe me standardet që kanë vendet e OECD-së.

Ky objektiv është tërësisht i realizueshëm dhe ne kemi të gjithë potencialin e mundshëm për ta realizuar atë. Natyrisht duhet një bashkëpunim akoma më i madh ndërinsitucional me bashkitë dhe jo pa qëllim, për vitin 2026 parashikimi i të ardhurave nga taksa e pronës është në masën 10 miliardë ose rreth 100 milionë euro, një rritje prej rreth 1.4 miliardë lekë më shumë apo 14 milionë euro më shumë se sa në vitin 2025.

Thënë kjo dhe duke marrë shkas se prezent në këtë sallë kemi dhe drejtues të bashkive, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e rolit tuaj në këtë proces.

Pavarësisht se sot kemi një ligj të ri, pavarësisht se sot kemi një Kadastër Fiskale funksionale, kjo reformë nuk mund të materializohet pa angazhimin tuaj maksimal. Do të jeni ju që do ta mblidhni këtë taksë dhe do të jeni po ju që do të vendosin prioritetet tuaj, qoftë për investimet që do të realizoni, qoftë për shërbimet që do të ofroni në dobi të komuniteteve.

Ne, si Ministri e Financave angazhohemi që do të vijojmë t’ju mbështesim, siç kemi bërë deri tani,  nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme, në mënyrë që jo vetëm të kuptoni drejt këtë reformë, por edhe ta zbatoni drejt atë.

Duke marrë në konsideratë këtë, qeveria shqiptare e ka vendosur këtë reformë si shtyllë kryesore për disa strategji të tjera që ne jemi duke implementuar paralelisht, si ajo e :

Decentralizimit,
e Menaxhimit të Financave Publike,
e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Ndaj këto dokumente e trajtojnë reformën e taksës së pasurisë, si një instrument për të siguruar :

·        Rritjen e të ardhurave

Kalimin gradual drejt vlerësimit bazuar te vlera e tregut;
Zgjerim të bazës së taksapaguesve;
Sot, ne ndodhemi në një moment kyç. Kemi një sistem të ndërtuar dhe gati për t’u dorëzuar, një projektligj të hartuar sipas standardeve europiane, një bashkëpunim të konsoliduar me partnerët suedezë, dhe një vullnet të qartë institucional për të çuar përpara drejt fazës së fundit këtë reforme.

Brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë do të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale. Ky është parakushti thelbësor për çdo hap të mëtejshëm.

Në vitin 2027 do të kryehet procesi kombëtar i vlerësimit të pronave.

Ndërsa 2026-2027 do të shërbejë si periudhë trazitore deri në aplikimin e ligjit të ri.

Në vitin 2028 parashikohet futja e vlerësimeve të bazuara në treg për ndërtesat, si dhe përmirësimi i normave dhe lehtësimeve

Dhe në vitin 2030 do të nisë zbatimi i takës mbi tokën/truall, bazuar në një sistem të plotë të integruar dhe sipas standardeve europiane.

Ky do të jetë edhe finalizimi i reformës!

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne po ecim drejt një reforme që është:

në përputhje me rekomandimet e FMN-së,
e mbështetur nga Banka Botërore,
e harmonizuar me parimet e OECD-së,
dhe e vlerësuar nga BE-ja si një element kyç i transparencës, digjitalizimit dhe financave të shëndosha publike.
Ndaj, në mbyllje të fjalës sime dëshiroj të theksoj se reforma e taksimit të pasurisë është një histori bashkëpunimi, e ndërtuar me ekspertizë dhe mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare.

Dua të shpreh mirënjohjen time për të gjitha institucionet vendore dhe qendrore që kanë dhënë kontributin e tyre.

Një falënderim i veçanë për Ambasadën Suedeze dhe Administratën Tatimore të Suedisë, të cilat kanë qenë partnerët tanë kyç gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat