Shqipëria Postuar më 21 Nëntor 2025, 13:00

“Pensionet, reformë urgjente” - BB: Deri në 2060, 34% e shqiptarëve parashikohet të jenë mbi moshën e pensionit

Nga Elisabeta Dosku

“Pensionet, reformë urgjente” - BB: Deri në 2060, 34% e

Banka Botërore rekomandon qeverinë shqiptare të ndërmarrë një sërë reformash të fokusuara në mbrojtjen sociale, edukimin dhe të rishikojë në mënyrë urgjente skemën e pensioneve.  

Raporti  mbi Rishikimin e Financave Publike në Shqipëri (RFP) analizon se si politikat fiskale mund të përshpejtojnë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të ruajnë stabilitetin makroekonomik ndërsa vendi përparon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Një ndër gjetjet e raportit fokusohet në skemën e pensioneve, ku rezulton deri në vitin 2060, 34% e shqiptarëve parashikohet të jenë mbi moshën e pensionit, duke e vënë sistemin nën presion. Për këtë arsye, rekomandohen reforma për të zgjeruar bazën e kontribuuesve, përmirësuar mjaftueshmërinë dhe stimuluar jetëgjatësinë e punës për ta mbajtur sistemin e pensioneve të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

Massimiliano Paolucci, Shef i zyrës së BB në Tiranë:

“Studimi gjithashtu bën thirrje për shpenzime më të mira duke i dhënë përparësi investimeve në kapitalin njerëzor, infrastrukturën dhe mbrojtjen sociale, si dhe duke përmirësuar efikasitetin e shpenzimeve publike. Dhe së fundmi, ai bën thirrje për menaxhimin e rreziqeve duke forcuar amortizatorët fiskalë, duke përmirësuar menaxhimin e borxhit dhe duke u përgatitur për sfidat e një popullsie në plakje dhe klimës në ndryshim. Në fund të fundit, rruga e shqiptarëve drejt konvergjencës në BE varet nga fakti që çdo lek publik të ketë vlerë. Pra, një fushë ku reforma është urgjente janë pensionet. Sot, vetëm rreth 46% e popullsisë në moshë pune kontribuon në sistem dhe shkalla mesatare e zëvendësimit është 32%. Ndërsa popullsia e Shqipërisë plaket dhe migrimi vazhdon, sigurimi i qëndrueshmërisë dhe drejtësisë së pensioneve është kritik jo vetëm për mbrojtjen e të moshuarve, por edhe për ruajtjen e stabilitetit fiskal. PFR thekson rëndësinë e investimit në fëmijët e vegjël, zgjerimin e aksesit në arsimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijërisë dhe mbështetjen e familjeve, sepse këto janë themeli i rritjes dhe përfshirjes së ardhshme. Më lejoni të përfundoj duke thënë, duke theksuar se zgjedhjet që bën Shqipëria sot do të formësojnë të ardhmen e saj për brezat që do të vijnë, Shqipëria mund të përshpejtojë udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, dhe ne besojmë fuqimisht në këtë”.

Nga ana e tij, Ministri i Financave, Petrit Malaj,  theksoi se raporti është një instrument strategjik që ndihmon në përmirësimin e mënyrës se si hartohen dhe  zbatohen politikat fiskale.

“Kuadri fiskal që ndërtojmë sot do të formësojë të ardhmen e Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Ai do të përcaktojë aftësinë tonë për të investuar në kapitalin njerëzor, për të mbështetur bizneset konkurruese, për të ndërtuar infrastrukturë të fortë, për të siguruar pensione dinjitoze dhe për të rritur qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore. Rruga e zhvillimit të Shqipërisë lidhet, mbi të gjitha, me çlirimin e potencialit të njerëzve tanë. Ne kemi bërë përparime të rëndësishme, por mbetet ende shumë punë. Ne jemi të angazhuar për politika të bazuara në evidenca dhe për reforma që rrisin si cilësinë, ashtu edhe efikasitetin e financave publike”.

Raporti i Bankës Botërore analizon panoramën fiskale të Shqipërisë, si tendencat makro-fiskale, mobilizimin e të ardhurave dhe efikasitetin e shpenzimeve publike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat