Shqipëria Postuar më 16 Mars 2026, 13:24

Sa ju kushton kredia konsumatore? - Jo vetëm këste dhe interesa. Komisione disbursimi dhe penalitete për shlyerje të vonuar

Nga Ledina Elezi

Sa ju kushton kredia konsumatore? - Jo vetëm këste dhe interesa.

Përveç shlyerjes së kësteve dhe interesave, marrja e një kredie konsumatore shoqërohet me një sërë kostosh të tjera që përfshijnë edhe komisionet që duhet t'i paguajë klienti bankës ose subjektit financiar jo bankë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë,  komisionet më të shpeshta që aplikohen nga institucionet financiare jo banka janë për penalitet për shlyerje të vonuar, komisione disbursimi dhe komisione për shlyerje të parakohshme të kredisë.

Të njëjtat lloje komisionesh, por me përqindje të ndryshme aplikohen edhe nga bankat. Në ndryshim nga subjektet financiare jo banka, ku komisioni i disbursimit apo ai për penalitet për shlyerje të vonuar aplikohet në vetëm disa prej tyre dhe jo të gjitha, në rastin e bankave, këto janë komisionet që aplikohen gjithmonë dhe nga të gjitha prej tyre për kreditë konsumatore me hipotekë.

Kur një qytetar merr një kredi konsumatore të pasiguruar, pra pa hipotekë në bankë, komisioni i disbursimit zëvendësohet me komision administrimi.

Duhet theksuar se disa nga subjektet financiare jo banka më të mëdha në vend aplikojnë zero komisione për kreditë që japin.

Qytetarët i drejtohen bankave kur duan të marrin kredi konsumatore me vlera të mëdha, ndërsa i gjithë procesi i aplikimit dhe aprovimit të kredisë është i gjatë dhe burokratik. Nga ana tjetër, subjektet financiare jo banka ofrojnë kredi konsumatore në shuma më të vogla, por e miratojnë më shpejt se bankat dhe kjo për arsye se këto subjekte synojnë të tërheqin klientë që janë përjashtuar zakonisht nga bankat tregtare, sepse nuk i kanë plotësuar kriteret e vendosura nga këto të fundit.

Për klientët me aftësi paguese më të lartë, bankat janë të gatshme të japin kredi konsumatore në shuma të larta, ndërsa individët me një aftësi paguese më të ulët ose që thjesht duan të marrin një kredi të vogël, të shpejtë dhe të shmangin procedurat e gjata, zakonisht i drejtohen subjekteve financiare jo banka.

Megjithatë, nëse po mendon të marrësh një kredi konsumatore në bankë apo subjekt financiar jo bankë, duhet të shqyrtoni dhe krahasoni mirë edhe normat e tyre të interesit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat