Shqipëria Postuar më 10 Mars 2026, 13:52

Paraja që nuk hyn në banka - 481 miliardë lekë në qarkullim jashtë sistemit. Çfarë po e mban “gjallë” cash-in?

Nga Ledina Elezi

Paraja që nuk hyn në banka - 481 miliardë lekë në

Paraja që qarkullon jashtë bankave vijon të rritet, duke pasqyruar përdorimin ende të lartë të cash-it në ekonomi. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në janar 2026 paraja jashtë korporatave depozituese arriti në rreth 481 miliardë lekë.

Krahasuar me dhjetorin 2025, kur ky tregues ishte rreth 483 miliardë lekë, vërehet një ulje e lehtë mujore prej rreth 2 miliardë lekësh. Një zhvillim i tillë është relativisht i zakonshëm në fillim të vitit, pasi një pjesë e parasë që qarkullon gjatë periudhës së festave rikthehet në sistemin bankar.

Megjithatë, në krahasim me janarin e vitit 2025, kur paraja jashtë bankave ishte rreth 422 miliardë lekë, niveli aktual rezulton rreth 59 miliardë lekë më i lartë, ose një rritje e ndjeshme në terma vjetorë.

Rritja e parasë në qarkullim jashtë bankave zakonisht lidhet me zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e konsumit, por njëkohësisht pasqyron edhe preferencën e vazhdueshme të individëve dhe bizneseve për të përdorur para fizike, pavarësisht zgjerimit gradual të pagesave elektronike dhe shërbimeve bankare digjitale në vend.

Kultura e pagesave me para në dorë, normat jo shumë tërheqëse të interesit për depozitat, mungesa e terminaleve POS në shumë pika shitjeje për shkak të komisioneve të larta bankare, si edhe niveli i lartë i informalitetit, janë disa nga faktorët kryesorë që nxisin mbajtjen e parasë jashtë bankave. Në këtë panoramë përfshihet edhe paraja nga burime të paligjshme, e cila zakonisht qarkullon jashtë kanaleve formale.

Edhe besimi i ulët në sistemin bankar, niveli i dobët i edukimit financiar, preferenca për likuiditet të menjëhershëm dhe rezistenca ndaj pagesave elektronike janë faktorë ndikues.

Për të frenuar këtë tendencë, qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë ndërmarrë masa për të nxitur përdorimin e pagesave elektronike, përfshirë uljen e komisioneve bankare, promovimin e edukimit financiar, vendosjen e kufijve për pagesat cash mes individëve dhe bizneseve, si dhe masa për reduktimin e informalitetit. Autoritetet presin që këto politika të ulin gradualisht varësinë nga paraja fizike në vitet në vijim, megjithëse të dhënat tregojnë se rruga drejt një ekonomie më pak cash mbetet ende e gjatë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat