Shqipëria Postuar më 29 Prill 2026, 11:51

“Paqja Fiskale, në fuqi brenda majit” - Ministri Malaj: Shumë shpejt do të dalim me aktet nënligjore

Nga Dorian Koça

“Paqja Fiskale, në fuqi brenda majit” - Ministri Malaj:

“Ligji i “Paqes Fiskale” do të nisë të zbatohet brenda muajit maj”. Deklarata është bërë nga ministri i Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së qeverisë, i cili shpjegoi edhe punën që aktualisht po bëhet.

“Jemi drejt fazës finale dhe shumë shpejt do të dalim me aktet nën ligjore sa i përket Paqes Fiskale dhe fshirjes së detyrimeve. Kemi diskutuar dhe negociuar me ndërkombëtarët për aktet nënligjore, shumë shpejt do dalim me aktet, brenda muajit maj do t’i kemi mbyllur proceset respektive”.

“Paqja fiskale” do të jetë një marrëveshje midis Administratës tatimore dhe bizneseve e gjeneruar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, e cila shmang kontrollet tatimore, përmirëson klimën e biznesit, por nga ana tjetër garanton mbledhjen e detyrimeve tatimore. Qëllimi i kësaj pakete është një taksim më i drejtë dhe transparent për bizneset.

Sipas qeverisë, kjo paketë do të përdoret për të luftuar informalitetin në ekonomi, sidomos në sektorë si turizmi, ku ky fenomen është edhe më i lartë.

“Paqja Fiskale” ka tre komponentë kryesorë. I pari është tatimi i dakordësuar mbi fitimin. Komponenti i dytë është rishikimi i pasqyrave financiare dhe i treti është falja e detyrimeve tatimore dhe kamatëvonesave. Në kuadër të kësaj pakete, biznesi do të përjashtohet nga kontrolli tatimor gjatë periudhës së marrëveshjes. Bizneseve do t’u jepet mundësi që të paguajnë detyrimin e plotë, për të përfituar faljen e gjobave dhe kamatëvonesave.

Në mbledhjen e qeverisë u ratifikua marrëveshja me Poloninë për sigurimet shoqërore, që garanton njohjen dhe bashkimin e periudhave të sigurimit, me qëllim që qytetarët e të dy shteteve të mos humbasin asnjë vit pune dhe të përfitojnë pensionin e pleqërisë sipas moshës ligjore.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat