Shqipëria Postuar më 24 Shkurt 2026, 09:36

Nis rivlerësimi i pasurive me 5 %/ Udhëzimi i Financave/ Si llogaritet tatimi? Njihet amortizimi i ndërtesave 1% çdo vit

Nga Elisabeta Dosku

Nis rivlerësimi i pasurive me 5 %/ Udhëzimi i Financave/ Si llogaritet

Të gjithë qytetarët shqiptarë që duan të rivlerësojnë pasuritë e tyre me normë tatimore 5%, tashmë  i kanë “dyert e hapura”. Udhëzimi i  Ministrisë së Financave, që i hap rrugë zbatimit të ligjit është botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë është në fuqi.

Referuar udhëzimit, të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026, kanë të drejtë që brenda këtij viti të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.

Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi, në zbatim të ligjeve të mëparshme të rivlerësimit.  Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë pranë drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK), apo me një ekspert të licencuar nga institucionet përkatëse.  Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri, procedura bëhet në mënyrë individuale për secilën prej tyre.

Por si llogaritet baza e tatueshme për rivlerësimin e pasurisë së individëve?

Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet e referencës që janë në fuqi. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi dhe vlerës së zbritshme.

Në rastin e ndërtesave, çmimeve të referencës do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë. Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme ndërtesa. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës. Në rastin e tokave çmimi minimal fiskal është çmimi për metër katror sipërfaqeje, të përcaktuar në hartën e vlerave.

Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme, i cila nuk mund të jetë me e vogël se çmimet e referencës.

Vlera e zbritshme në këtë rast është vlera e pasurisë sipas aktit të fundit të regjistruar pranë organit kompetent për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.  Në rastin kur mungon një vlerë e zbritshme, ose vlera e regjistruar është e shprehur në monedha të tilla, si franga ari, apo napolona floriri, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit për metër katrorë e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave, në vitin e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme.

Për ndërtesat e përfituara në rastet e trashëgimisë, dhuratave apo heqjes dorë, për të cilat nuk ka qenë regjistruar vlerë e pronës, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit për metër katrorë, e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave në datën e regjistrimit të aktit.

Ndërsa për tokën, në të gjitha rastet, nëse nuk ka një vlerë në regjistrim, si vlerë e zbritshme do të merret vlera e llogaritur, duke përdorur indeksimin e çmimit të tokës sipas hartës së vlerave, me inflacionin mesatar vjetor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat