Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2025, 10:47

Në korrik 1.3 milionë pasagjerë udhëtuan nga ajri - Destinacionet kryesore ishin qytetet italiane si Milano dhe Roma

Nga Hamit Yzeiraj

Në korrik 1.3 milionë pasagjerë udhëtuan nga ajri -

Gjatë një dite të zakonshme të muajit të dytë të verës, nëpër aeroportin e Tiranës kalonin gati 43 mijë pasagjerë, që mbërrinin ose niseshin drejt një destinacioni të ri. Sipas të dhënave të publikuara nga TIA, vetëm gjatë muajit korrik janë regjistruar 1.28 milionë pasagjerë që kanë përdorur aeroportin e kryeqytetit për udhëtim.

Në këtë periudhë janë kryer gjithsej 7,738 fluturime, çka përkthehet në një mesatare prej rreth 258 avionësh që ulen ose ngrihen çdo ditë nga pista e aeroportit të Tiranës. Kjo i ka dhënë mundësi qytetarëve shqiptarë dhe turistëve të huaj të udhëtojnë drejt 110 destinacioneve të ndryshme në 32 shtete, ku gjatë korrikut janë shtuar edhe tre linja të reja ajrore: Nantes, Bordeaux dhe Lisbona.

Destinacionet më të preferuara mbetën qytetet italiane, si Milano, Roma dhe Bolonja, ndërsa një volum i madh udhëtarësh është regjistruar edhe drejt kryeqytetit britanik, Londrës, dhe kryeqytetit austriak, Vjenës.

Muaji korrik solli gjithashtu një tjetër rekord për Shqipërinë: fluturimet shënuan një rritje prej 152% krahasuar me periudhën para pandemisë. Me këtë performancë, vendi ynë u rendit i pari në të gjithë Europën dhe lider në Ballkan për ritmet e rritjes së trafikut ajror. Në rajon, pas Shqipërisë renditet Serbia me një rritje prej 34%, Maqedonia e Veriut me 13% dhe Mali i Zi me vetëm 5%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat