Shqipëria Postuar më 4 Tetor 2025, 12:06

Nafta në bujqësi, shpallen 1277 fituesit e parë/ Sa para’ do të përfitojnë fermerët sipas kulturës bujqësore?

Nga Elisabeta Dosku

Nafta në bujqësi, shpallen 1277 fituesit e parë/ Sa para’

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka publikuar listën emrave të 1277 përfituesve të parë të naftës për punime të mekanizuara në bujqësi.

Sipas procedurës së aplikimit që kanë bërë fermerët, aplikantët kanë vetëdeklaruar kulturat bujqësore të mbjella ose të parashikuara për të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit on line. Çdo parcelë, sipas dokumentacionit të pronësisë apo përdorimit,  plotësohet me kulturën/kulturat përkatëse të mbjellë ose që parashikohen të mbillen.

Por sa para do t’u jepen përfituesve?  Vlera e saktë që përfitojnë aplikantët fitues, është e kategorizuar me vendim qeverie sipas kulturës së mbjellë, ndërsa maksimumi i mbështetjes arrin deri në 186 euro për hektarë.

Sa i takon kultivimit të bimëve të arave, do të jepen 18,582 lekë/ha për kulturat pranverore si misër, fasule, luledielli, sojë,  sorgum.  12,714 lekë/ha për bimët e lashta si grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjerë njëvjeçarë, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk. Dhe 8,802 lekë/ha për foragjerë shumëvjeçarë, bimë aromatike-mjekësore.

Në grupin e drufrutorëve, do të jepet pagesë për naftën për kultivimin e mollëve me 18,582/ ha, 15,648 lekë/ha për të gjitha llojet e frutave, ulli, agrume dhe  vreshta si dhe 13,692 lekë/ha për  arra, bajame, lajthi dhe gështenja të kultivuara si dhe 16,626 lekë/ha për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore.

Sa i takon grupit të tretë, kultivimit të perimeve,  pagesat për naftën variojnë nga 14,670 lekë/ha për të gjitha llojet e perimeve të fushës sezoni i parë, përfshi shalqi,  pjepër, luleshtrydhe dhe 16,626 lekë/ha për të gjitha perimet e serës, sezoni i parë.

Fermerët përfitojnë deri në 100% të vlerës, me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra.  Për sipërfaqen mbi 10 ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.

Të gjitha aplikimet e kryera nëpërmjet e-Albania dhe që janë shpallur fituese,  i janë nënshtruar procesit të kontrollit administrativ, që shqyrton përputhjet e vetëdeklarimeve, në lidhje me parcelat, sipërfaqet, kulturat dhe dokumentacionin që i mbështet këto deklarime.

Vitin e kaluar nga kjo skemë kanë përfituar mbi 52 mijë fermerë në të gjithë vendin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat