Shqipëria Postuar më 1 Shtator 2026, 13:25

Më pak shqiptarë po investojnë në letra qeveritare - AMF: Investimet e individëve në bono e obligacione bien me 13.2%

Nga Ledina Elezi

Më pak shqiptarë po investojnë në letra qeveritare - AMF:

Shqiptarët po i largohen gjithnjë e më tepër investimit në tituj qeveritarë. Në gjysmën e parë të 2026, individët kanë shfaqur interes më të ulët për blerjen e titujve, qoftë përmes Bankës së Shqipërisë apo fondeve të investimit. Normat e ulëta të interesit kanë dekurajuar investitorët individualë nga pjesëmarrja.

Deri në qershor të këtij viti janë kryer në total 3,731 transaksione nga individët në tregun primar të titujve të qeverisë, me një rënie prej rreth 15.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur totali i tyre ishte 4,426. Një ulje e tillë e numrit të transaksioneve është shoqëruar edhe me uljen e volumit të parave të investuara në bono thesari e obligacione të Qeverisë nga qytetarët.

Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se individët kanë blerë në tregun primar, pra nga blerjet direkte për herë të parë të titujve qeveritarë përmes ankandeve të organizuara nga Banka e Shqipërisë, rreth 12.6 miliardë lekë letra me vlerë të qeverisë. Rënia është 13.2% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar, kur totali i investimeve nga individët ishte 14.5 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, numri i transaksioneve në tregun sekondar të titujve të Qeverisë të realizuara jashtë Burse për periudhën janar-qershor 2026, i cili përfshin shitjen e titujve ndërmjet bankave, fondeve dhe investitorëve të tjerë individualë, pasi janë blerë fillimisht nga Banka e Shqipërisë dhe para përfundimit të afatit të tyre, zbriti në 393, rreth 22.5% më pak se në janar-qershor 2026.

Për të investuar në bono thesari dhe obligacione, qytetarët mund të marrin pjesë në mënyrë direkte në ankandet e Bankës së Shqipërisë ose të investojnë në mënyrë indirekte përmes fondeve të investimeve, të pensioneve dhe institucioneve të tjera të autorizuara për investim në këto instrumente.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat