Shqipëria Postuar më 1 Shtator 2026, 13:15

Ndryshime në Policinë e Shtetit, emërohen drejtuesit e rinj në tre qarqe

Nga Edel Strazimiri

Ndryshime në Policinë e Shtetit, emërohen drejtuesit e rinj

Lëvizje në Elbasan, Berat dhe Korçë, disa drejtues transferohen në Drejtorinë e Përgjithshme

Policia e Shtetit ka bërë ndryshime në strukturat drejtuese në Elbasan, Berat dhe Korçë, duke prekur drejtuesit e disa drejtorive vendore dhe strukturave të Kufirit dhe Migracionit.

Sipas raportimeve, Kastriot Skënderaj është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Ai zëvendëson në këtë detyrë Fatmir Hoxhën, i cili është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku është emëruar specialist në Drejtorinë për Integrimin.

Ndryshime janë bërë edhe në Berat dhe Korçë. Luigj Vathi, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Në këtë post ai zëvendëson Gëzim Zhupajn, i cili është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të ushtrojë detyrën e Shefit të Sektorit në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike.

Ndërkohë, Kryekomisari Dashnor Muhaj është transferuar nga detyra e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Ai është emëruar specialist për Migracionin e Parregullt në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Lëvizjet janë pjesë e ndryshimeve të fundit në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat