Shqipëria Postuar më 1 Shtator 2026, 11:56

Shqipëria i hap rrugë mbarështimit racor - Kritere të forta për importin dhe tregtimin. Gjoba deri në 5 mijë euro

Nga Elisabeta Dosku

Shqipëria i hap rrugë mbarështimit racor - Kritere të forta

Në një kohë kur blegtoria paraqet rënie të vazhdueshme si në prodhimin e qumështit ashtu edhe në rënien e krerëve, Shqipëria do të ketë një kuadër të plotë ligjor i cili i hap rrugë mbarështimit racor, me qëllim rritjen e rendimentit të prodhimit dhe konkurrueshmërisë së këtij sektori.

Projektligji i Ministrisë së Bujqësisë, i hedhur për konsultim publik,  “Për mbarështimin racor, tregtimin dhe hyrjen në vend të kafshëve të racës dhe produkteve të tyre gjerminale” i cili përafron legjislacionin shqiptar me atë të BE-së, adreson nevojën për një kuadër të qartë dhe të unifikuar për punën racore, në kushtet kur në praktikë mungojnë strukturat e konsoliduara të mbarështimit racor, programet racore dhe sistemet e të dhënave individuale për performancën prodhuese e riprodhuese të kafshëve.

Kjo situatë cenon potencialin e rritjes së produktivitetit, cilësisë dhe konkurrueshmërisë së sektorit blegtoral, si dhe vështirëson ruajtjen e diversitetit gjenetik.

Konkretisht, projektligji synon vendosjen e rregullave të qarta për njohjen e subjekteve racore dhe për miratimin apo mbikëqyrjen e programeve racore.

Parashikohet krijimi i bazës ligjore për administrimin e të dhënave zooteknike (përfshirë testimin e performancës dhe vlerësimin gjenetik) dhe për lidhjen e tyre me sistemin e identifikimit të kafshëve (RUDA) nëpërmjet Regjistrit Kombëtar të të Dhënave Zooteknike (RDKZ);

Synohet gjithashtu standardizimi i certifikatave zooteknike dhe rritja e besueshmërisë për tregti dhe hyrje në vend të kafshëve dhe produkteve gjerminale;

Drafti parashikon edhe forcimin e mekanizmave të kontrolleve zyrtare, masave korrigjuese dhe sanksioneve në rast mospërputhjeje.

Konkretisht mosmbajtja ose mbajtja e pasaktë e librit të racës dënohet me gjobë nga 50 000 deri 200 000 lekë;  përdorimi i materialit gjenetik pa dokumentim zooteknik, lëshimi i certifikatave me të dhëna të rreme nga 100 000 deri 500 000 lekë;  refuzimi i inspektimeve ose pengimi i kontrollit zyrtar - deri 300 000 lekë; mosraportimi i të dhënave të detyrueshme - deri 150 000 lekë; përdorimi i pajustifikuar i emërtimit “race e njohur” pa vendim - deri 250 000 lekë; përdorimi i produkteve gjerminale në kundërshtim me programin racor - deri 300 000 lekë.

 Për shkelje të rënda ose të përsëritura, gjobat dyfishohen dhe shoqërohen me pezullim.  Sanksionet zbatohen edhe për deklarim të rremë të prejardhjes;  manipulim të rezultateve të testimit të performancës/vlerësimit gjenetik;  përdorim të paautorizuar të emërtimeve zyrtare të racave/librave të racës.

Përmes këtij projektligji do të jetë objektiv gjithashtu mbrojtja dhe ripërtëritja e racave autoktone dhe diversitetit gjenetik, duke krijuar instrumente për programe kombëtare dhe mbështetjen përkatëse.

Në këtë mënyrë synohet përmirësimin gradual të produktivitetit dhe të vlerës së shtuar të prodhimeve blegtorale, përmes praktikave të kontrolluara të përzgjedhjes dhe riprodhimit.

Drafti vjen në një kohë kur pas dy ditësh hyn në fuqi edhe ndalimi i importit të mishit nga Brazili.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat