Shqipëria Postuar më 29 Dhjetor 2025, 13:06

Licencohen 349.2 MW energji - Dominon energjia diellore me 19 projekte, parashikohen edhe 4 HEC-e dhe 1 central ere

Nga Ola Mitre

Licencohen 349.2 MW energji - Dominon energjia diellore me 19 projekte,

Njëmbëdhjetë muajt e vitit 2025 kanë shënuar dhënien e një numri të lartë licencash për prodhimin e energjisë elektrike. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, në total për periudhën janar – nëntor janë licencuar 24 kompani, për projekte me kapacitet total të parashikuar për t’u instaluar prej 349.2 MW.

Të dhënat tregojnë një dominim të dukshëm të energjisë diellore, me 326.4 MW të licencuar. Projektet iu takojnë 19 kompanive të ndryshme, ndërsa centralet e licencuar parashikohet të pozicionohen në Qarkun e Fierit, me përjashtim të 2 prej tyre. Njëri nga impiantet do të jetë në Kukës, ndërsa tjettri është në Durrës dhe bëhet fjalë për centralin e Spitallës. Por, teksa rritja e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike duket se është fokusuar te centralet e diellit, gjatë 11 mujave të vitit 2025 janë dhënë edhe 4 licenca për hidrocentrale, për projekte me kapacitet total të instaluar prej 19.8 MW.

Ndërkaq, pas shumë vitesh pa asnjë zhvillim për energjinë e erës, për herë të parë është licencuar një projekt me kapacitet 3 MW, në zonën e Tragjasit, që i shtohet 2 licencave aktive të dhëna nga Enti Rregullator i Energjisë në vitet 2007 -2008.

Ndërkaq, nisur nga fakti se një numër i konsiderueshëm i burimeve të energjisë elektrike, parashikohen që të ndërtohen dhe të lidhen në rrjet, Enti Rregullator i Energjisë thekson nevojën për një zhvillim më dinamik dhe investime për të integruar këto burime në sistemin elektroenergjitik shqiptar në vitet në vijim.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat