Shqipëria Postuar më 29 Dhjetor 2025, 11:18

Zvarritjet e ligjit të rivlerësimit të pasurive - NAREA kërkon dekretim të menjëhershëm

Nga Diamila Leka

Zvarritjet e ligjit të rivlerësimit të pasurive - NAREA
Shoqata Kombëtare e Agjentëve të Pasurive të Paluajtshme, NAREA, ngre shqetësimin për zvarritjen e procesit të dekretimit të Ligjit “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”, i miratuar më 12 dhjetor 2025.

Sipas NAREA-s, ligji është rezultat i një pune intensive 12-mujore në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe ligjvënësit, ndërsa prej më shumë se një viti e gjysmë pritej miratimi i tij përfundimtar.

Ky ligj pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë për rreth 500 mijë familje shqiptare, të cilat do të kenë mundësi të rivlerësojnë pasurinë e tyre sipas vlerës reale të tregut. Po ashtu, NAREA thekson se zbatimi i ligjit do të krijojë kushte për alternativa më të përballueshme strehimi për dhjetëra mijëra familje të tjera.

Shoqata shpreh shqetësim për vonesën e dekretimit, e cila po sjell shtyrjen e botimit në Fletoren Zyrtare, vonesën e hyrjes në fuqi përtej datës 1 janar 2026, si dhe bllokimin e nxjerrjes së akteve nënligjore, duke krijuar pasiguri në sektor dhe vështirësi për qytetarët.

Edhe pse NAREA ka shprehur rezerva për nivelin e tatimit 5% për banesat dhe për zbatimin e amortizimit 1% në vit sipas vjetërsisë, ajo thekson se një vonesë e mëtejshme do të kishte pasoja edhe më negative në treg, i cili prej 18 muajsh përballet me presione inflacioniste.

Në përfundim, NAREA i bën thirrje institucioneve që ligji të dekretohet sa më parë, të botohet në Fletoren Zyrtare dhe të hyjë në fuqi, si dhe kërkon angazhim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për nxjerrjen e akteve nënligjore dhe udhëzimeve të nevojshme për zbatimin e tij.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat