Shqipëria Postuar më 20 Prill 2026, 14:26

Lehtësohen kreditë konsumatore për qytetarët - Bankat mbeten “konservatore” për biznese. Pritet më shumë financim në tremujorin e dytë

Nga Ledina Elezi

Lehtësohen kreditë konsumatore për qytetarët - Bankat mbeten

Bankat në Shqipëri nuk kanë ndryshuar kushtet për kreditimin e bizneseve në fillim të vitit 2026, ndërsa për qytetarët është bërë më e lehtë marrja e kredive për konsum.

Për bizneset, bankat nuk kanë bërë ndryshime të rëndësishme në politikat e kreditimit. Kjo do të thotë se kushtet, kriteret dhe rregullat për marrjen e një kredie kanë mbetur pothuajse të njëjta si në fund të vitit të kaluar. Edhe shkalla e miratimit të kredive është ruajtur në të njëjtat nivele. Megjithatë, bankat vazhdojnë të tregohen të kujdesshme dhe të kenë tolerancë të ulët ndaj rrezikut, pra janë selektive në dhënien e kredive.

Nga ana tjetër, kërkesa për kredi nga bizneset ka shënuar rritje, por kjo rritje vjen kryesisht nga bizneset e mëdha. Këto të fundit kanë kërkuar më shumë financim për të mbuluar investimet dhe nevojat e tyre për aktivitetin e përditshëm. Ndërsa bizneset e vogla dhe të mesme kanë treguar një kërkesë më të dobët për kredi.

Për individët, situata paraqitet më lehtësuese. Bankat kanë zbutur kushtet për kreditë konsumatore, duke e bërë më të lehtë marrjen e kredive për blerje, shpenzime apo nevoja personale. Kjo është reflektuar edhe në kushte më të favorshme, si shuma më të larta kredie apo afate më të gjata shlyerjeje. Ndërkohë, për kreditë për blerje banese, kushtet kanë mbetur kryesisht të pandryshuara.

Sa i përket kërkesës së individëve, ajo ka qenë e përzier. Ka pasur rritje të kërkesës për kredi konsumatore, ndërsa kërkesa për kredi për blerje banese ka rënë. Kjo lidhet kryesisht me disa vonesa në zbatimin e rregullave të reja dhe kufizime në tregun e pasurive të paluajtshme. Po ashtu, bankat kanë raportuar një rënie të lehtë të miratimit të kredive për individët, kryesisht për shkak të historikut të kreditit dhe gjendjes financiare të aplikantëve.

Në vijim, pritshmëritë janë më pozitive. Bankat planifikojnë të lehtësojnë më tej kushtet e kreditimit në tremujorin e dytë të vitit, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe për individët, si në kreditë konsumatore ashtu edhe në ato për banesa. Në të njëjtën kohë, pritet që kërkesa për kredi të rritet si nga bizneset, ashtu edhe nga qytetarët.

Sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm dhe konkurrues, ndërsa muajt në vijim pritet të sjellin më shumë mundësi financimi për ekonominë dhe për qytetarët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat