Shqipëria Postuar më 20 Prill 2026, 12:49

Digjitalizimi i ekonomisë në Shqipëri mbetet i pjesshëm - Bizneset adoptojnë ngadalë teknologjitë e reja, ndërsa përdorimi i IA është ende i kufizuar

Nga Ledina Elezi

Digjitalizimi i ekonomisë në Shqipëri mbetet i pjesshëm -

Shqipëria po përparon në përdorimin e internetit dhe infrastrukturën digjitale, por mbetet pas në aftësitë digjitale dhe në përdorimin e teknologjisë nga bizneset.

Sipas raportit më të fundit për Indeksin e Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2024 rreth 86% e popullsisë përdor internetin, një nivel i lartë dhe afër mesatares së rajonit. Megjithatë, kjo nuk përkthehet në aftësi të mjaftueshme digjitale.

Vetëm 23% e qytetarëve kanë aftësi bazë digjitale, shumë më pak se mesatarja e rajonit dhe larg Bashkimit Europian. Ndërsa ata me aftësi mbi bazën janë vetëm rreth 8%. Edhe numri i specialistëve të teknologjisë mbetet i ulët, rreth 1% e fuqisë punëtore.

Nga ana tjetër, bizneset po tregojnë më shumë interes për trajnime, me rreth 22% të tyre që investojnë në aftësimin digjital të punonjësve.

Në infrastrukturë, situata është më pozitive. 98% e familjeve kanë akses në internet, ndërsa përdorimi i linjave fikse me shpejtësi të lartë është rritur ndjeshëm. Rreth 43% e familjeve përdorin internet mbi 100 Mbps.

Megjithatë, teknologjitë më të avancuara mbeten të kufizuara. Interneti ultra i shpejtë mbi 1 Gbps përdoret nga një pjesë shumë e vogël e familjeve, dhe rrjeti 5G është ende në faza të hershme, pavarësisht nisjes së shpërndarjes së frekuencave në fund të vitit 2024.
Sa i përket bizneseve, rreth 41% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme kanë arritur një nivel bazë digjitalizimi, por kjo është ende më poshtë se mesatarja e rajonit dhe e BE-së.

Përdorimi i teknologjive të avancuara si cloud, analiza e të dhënave dhe inteligjenca artificiale po rritet gradualisht, por mbetet i kufizuar. Vetëm 9% e bizneseve përdorin inteligjencë artificiale.

Në përfundim, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në përhapjen e internetit dhe investimet në infrastrukturë, por sfida kryesore mbetet rritja e aftësive digjitale të qytetarëve dhe përdorimi më i gjerë i teknologjisë nga bizneset.

Shqipëria 20 Prill Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur javën pozitivisht duke regjistruar rritje të lehtë të kuotës në raport me një javë më parë teksa është blerë mëngjesin e sotëm me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat