Shqipëria Postuar më 10 Mars 2026, 13:55

Kush merr punonjës në shtëpi do të paguajë sigurimet - Kategoritë që përfshihen. Nga pastrimi, tek ruajta e ndërtesës

Nga Elisabeta Dosku

Kush merr punonjës në shtëpi do të paguajë sigurimet -

Kushdo që ka të punësuar në shtëpi punonjës për mbarëvajtjen e punëve të ndryshme, duhet të paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Administrata Tatimore u ka bërë apel kryefamiljarëve që punësojnë persona për shërbime në shtëpi të formalizojnë marrëdhënien e punës, duke theksuar se në këto raste ata konsiderohen punëdhënës për qëllime tatimore.

Njoftimi synon të rrisë ndërgjegjësimin për respektimin e legjislacionit dhe për të ulur nivelin e informalitetit në këtë sektor.

Sipas sqarimeve të Tatimeve, punëtorë shtëpie konsiderohen personat që ofrojnë shërbime të ndryshme brenda familjes, si kujdes për fëmijët, asistencë për të moshuarit, pastrim dhe mirëmbajtje të shtëpisë, përgatitje ushqimi,  roje, si dhe detyra të tjera të ngjashme që lidhen me administrimin e përditshëm të familjes.

Institucioni thekson se çdo kryefamiljar që punëson një person për këto shërbime duhet të ndjekë disa hapa për të qenë në përputhje me ligjin.

Fillimisht, ai duhet të regjistrohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore sipas vendbanimit. Më pas duhet të deklarojë marrëdhënien e punësimit me punonjësin e shtëpisë, duke përfshirë të dhënat e nevojshme për identifikimin dhe kushtet e punës. Në rast se ka ndryshime në këtë marrëdhënie pune, si ndërprerja apo ndryshimi i kushteve të punësimit, kryefamiljari duhet gjithashtu të përditësojë të dhënat pranë administratës tatimore.

Administrata Tatimore nënvizon se formalizimi i këtyre marrëdhënieve është i rëndësishëm jo vetëm për përmbushjen e detyrimeve ligjore, por edhe për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të shtëpisë, të cilët përmes deklarimit përfitojnë akses në skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kjo, sipas institucionit, ndihmon gjithashtu në krijimin e një tregu pune më të rregullt dhe më transparent.

Në njoftim theksohet se deklarimi i saktë i të dhënave është i detyrueshëm, pasi deklarimet e pavërteta mund të konsiderohen shkelje administrative , në përputhje me legjislacionin në fuqi për procedurat tatimore në Shqipëri.

Tatimet bëjnë të ditur se ofrojnë informacion, udhëzim dhe asistencë për qytetarët gjatë gjithë procesit të regjistrimit dhe deklarimit, me qëllim që procedurat të jenë sa më të qarta dhe të lehta për t’u ndjekur.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat