Shqipëria Postuar më 26 Mars 2026, 13:56

Katër shtete mbajnë “peshën” e investimeve në Shqipëri - BSH: Holanda në vend të parë me 202 milionë euro. Ndjekin Italia, Kosova dhe Turqia

Nga Ledina Elezi

Katër shtete mbajnë “peshën” e investimeve në

Holanda, Italia, Kosova dhe Turqia janë vendet që sollën më shumë investime në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se shteti holandez mban vendin e parë me 202 milionë euro flukse të reja në 2025, duke u bërë kështu investitori kryesor në Shqipëri.

Ndërkohë, Italia renditet e dyta, e cila ka mbajtur një vlerë konstante investimesh që varion nga 45 – 50 milion euro për çdo tremujor, ndërsa në total, Shqipëria rezulton të ketë përthithur 187 milionë euro investime nga shteti italian prej fillimit e deri në fund të vitit.

Shteti motër, Kosova, pasi theu një rekord prej 90 milionë eurosh investimesh gjatë tremujorit të tretë, duke tejkaluar të gjitha vendet e tjera, është pozicionuar e treta për 2025. Kjo tregon se Kosova nuk është vetëm një partner kyç tregtar, krahas shumë lidhjeve dhe bashkëpunimeve të tjera që ekzistojnë midis dy shteteve, por edhe një shtet që investon shuma të konsiderueshme parash në sektorë të ndryshëm të vendit, sidomos në atë të paluajtshëm.

Pjesa tjetër e rajonit të Ballkanit, Greqia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë po ashtu të pranishme në Shqipëri me investime, por në një masë shumë të vogël.

Ndërkohë, Turqia, e cila ka mbajtur shpesh “fronin” e investimeve të huaja direkte në vend vjen e katërta me 181 milionë euro. Kështu, vendet e origjinës për 46.3% të investimeve në Shqipëri rezultojnë të jenë vetëm katër shtete.

Ajo që bie në sy nga statistikat zyrtare është edhe prania me investime e disa shteteve që gjenden shumë larg Shqipërisë, si Ishujt Kajman, Emiratet e Bashkuara Arabe, Panamaja, Kuvajti dhe Libani.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat