Analiza Postuar më 26 Mars 2026, 11:00

Mali i Zi, Maqedonia dhe Turqia “heqin dorë” nga Shqipëria/ Fluksi i të huajve zbehet në fillimvit, rajoni jep goditjen kryesore

Nga Scan TV

Mali i Zi, Maqedonia dhe Turqia “heqin dorë” nga

Pas sinjalit të dhënë nga shifrat e përgjithshme të INSTAT për ngadalësimin e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, statistikat sipas shteteve tregojnë më qartë se ku është përqendruar rënia. Në periudhën Janar-Shkurt 2026, në pikat kufitare të vendit u regjistruan 0.7% më pak hyrje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Pas kësaj tkurrjeje të lehtë fshihet një lëvizje më e theksuar në disa tregje të veçanta, sidomos nga rajoni dhe disa vende europiane.

Goditjen më të madhe në terma absolutë e dha Mali i Zi, nga ku hyrjet ranë me 13.8% në Janar-Shkurt, ose rreth 15 mijë më pak se një vit më parë. Edhe Maqedonia e Veriut shënoi rënie me 6.4%, ose mbi 6.2 mijë hyrje më pak, ndërsa Turqia pati një tkurrje edhe më të fortë në terma relativë, me 20.3%, duke dhënë afro 5.9 mijë hyrje më pak. Vetëm këto tre shtete përbëjnë pjesën dërrmuese të rënies totale të regjistruar në dy muajt e parë të vitit.

Dobësim pati edhe në disa tregje të tjera europiane që kanë peshë në hyrjet drejt Shqipërisë. Franca ra me 13.9%, Gjermania me 5.5% dhe Mbretëria e Bashkuar me 3.4%. Në disa tregje të tjera tkurrja ishte edhe më e fortë, por mbi baza më të vogla. Çekia ra me 27.4%, Kina me 31.3%, Hungaria me 34.5%, ndërsa Lituania shënoi rënien më të fortë relative, me 77.8%.

Megjithatë, jo të gjitha tregjet kanë ecur në të njëjtin drejtim. Rritja më e fortë në terma absolutë erdhi nga Italia, me 14.8 mijë hyrje më shumë se në Janar-Shkurt 2025, ose 11.7% rritje. Edhe Kosova dha një shtesë prej 10.8 mijë hyrjesh, me rritje 2.5%, ndërsa Greqia shtoi rreth 2.6 mijë hyrje, ose 2.8% më shumë se një vit më parë. Rritje pati edhe nga Bullgaria, Shtetet e Bashkuara, Spanja dhe India. Kjo tregon se rënia nuk ka qenë e përgjithshme, por është përqendruar në disa tregje të caktuara, ndërsa të tjerë kanë vijuar të mbajnë ose të zgjerojnë fluksin hyrës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat