Shqipëria Postuar më 26 Mars 2026, 11:01

Nis në Tiranë edicioni i dytë i “Match-maker Albania” - Forumi i biznesit organizuar nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA)

Nga SCAN TV

Nis në Tiranë edicioni i dytë i “Match-maker Albania”

Ka nisur në Tiranë edicioni i dytë i “Match-maker Albania”, forumi i biznesit organizuar nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA).

Në fjalën e saj drejtoresha e AIDA, Laura Saro, u shpreh se janë katër sektorë ku mund të investohen në Shqipëri. “I pari është "Pasuritë e Paluajtshme të së Ardhmes" (Future Estates). Po shkojmë përtej ndërtimit për të krijuar destinacione, mikpritje dhe zhvillim urban; një ekosistem të integruar që ndërthur bukurinë natyrore të Shqipërisë me inovacionin e gjeneratës tjetër. Nga turizmi i nivelit të lartë te zonat e lira ekonomike, nga zhvillimet private te projektet publike strategjike, projektet janë identifikuar dhe studimet e fizibilitetit janë gati. Ne nuk po ndërtojmë thjesht prona, po ndërtojmë pasuri”, u shpreh Saro.

I dyti është "Energjia e Gjeneratës tjetër" (Poëer Next). Sipas Saros, ambicia e Shqipërisë është të bëhet një "bateri e gjelbër" për rajonin, me një bazë të fortë të energjisë së rinovueshme dhe kapacitete energjetike në rritje. Ne ofrojmë mundësi në të gjithë vendin, tani dhe në të ardhmen. Në këtë fushë do të gjeni kompani publike gati për t'u angazhuar, projekte private gati për t'u rritur dhe institucione financiare ndërkombëtare gati për të bashkë-investuar. Pra, ky nuk është thjesht një treg energjie, është një ekosistem energjetik plotësisht i harmonizuar.

Sektori i tretë është "Bujqësia Inteligjente" (Smart Agriculture). Nga ullishtet e lashta te serat e teknologjisë së lartë, ne po e transformojmë industrinë bujqësore në një sektor modern, të drejtuar nga të dhënat. “Në këtë fushë do të gjeni startup-e inovative dhe ofrues teknologjie të gatshëm për të shkallëzuar fermat tradicionale në tregje inteligjente. Ne po e kthejmë traditën në një avantazh konkurrues”, nënvizoi kreu i AIDA.

Sipas saj, i fundit, por jo më pak i rëndësishmi, ai që prek të gjithë sektorët, është "Horizontet Digjitale" (Digital Horizons). “Këtu energjia rinore e Shqipërisë takon teknologjinë globale. Ne po ndërtojmë një ekosistem dixhital të fuqizuar nga talenti, të mbështetur nga politikat dhe të hapur për inovacion.

Në të katër këto shtylla, mesazhi sot është i njëjtë: bazat janë hedhur, institucionet dhe partnerët financiarë janë të angazhuar, projektet janë gati. Pra, zonja dhe zotërinj, ky është momenti për të vepruar. Në Shqipëri, ne nuk ofrojmë thjesht mundësi, ne ofrojmë partneritet. Ne bashkojmë vizionin e qeverisë me realitetin e sipërmarrjes dhe mbetemi partneri juaj edhe shumë kohë pasi videot të jenë ndalur”, tha ndër të tjera drejtoresha e AIDA, Laura Saro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat