Shqipëria Postuar më 21 Mars 2026, 10:44

Garancia sovrane në bujqësi, nevojë për rishikim/ Këshilli i Investimeve: Të analizohen kostot dhe procedurat administrative

Nga Elisabeta Dosku

Garancia sovrane në bujqësi, nevojë për rishikim/

Këshilli i Investimeve rekomandon  nevojën për rritjen e nivelit të shfrytëzimit të skemave të garancisë së kredisë, duke iu referuar konkretisht Garancisë Sovrane në Bujqësi.  Në raportin vjetor 2025, Këshilli nënvizon domosdoshmërinë e rishikimit të kostove dhe procedurave administrative për të kontribuar në përmirësimin e aksesit të bizneseve në financi.

Në fillim të vitit 2025 është prezantuar skema e garancisë sovrane për bujqësinë, një instrument i ri financiar që synon të përmirësojë aksesin në financim për fermerët dhe agrobizneset në vend. Nisma vjen në kuadër të përpjekjeve për të rritur përdorimin e skemave të garancisë së kredisë dhe për të përmirësuar mundësitë e financimit për sektorin bujqësor.

Skema ofron norma interesi të subvencionuara për agrobizneste që variojnë nga 2% deri në 3.5%, ndërsa përmes fondit të garancisë së shtetit mbulohet deri në 70% e shumës së kredisë pa kërkuar kolateral. Ky mekanizëm synon të ulë rrezikun për institucionet financiare dhe të krijojë më shumë mundësi për fermerët që të sigurojnë financim për investime.

Programi synon të nxisë investimet në zonat rurale, të rrisë nivelin e formalizimit të aktiviteteve bujqësore dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e sektorit në treg. Sipas Ministrisë së Bujqësisë po asistohen fermerët dhe agrobizneset në të gjithë Shqipërinë në mënyrë që ta bëjnë sa më të shfrytëzueshëm këtë instrument.

Qeveria shqiptare ka lidhur marrëveshje me 11 banka tregtare në vend për të bërë të mundur aplikimin e garancisë sovrane në sektorin bujqësor.

Garancia Sovrane me fond prej 3 miliardë lekësh, ose 30 milionë euro është një instrument që stimulon huadhënien nga bankat për t’i mundësuar ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin e bujqësisë si dhe fermerëve të pajisur me NPT, investime për asete fizike dhe teknologjike që rritin kapacitetet prodhuese, cilësinë e prodhimit dhe eficiencën operacionale të tyre.

Sipas marrëveshjes, qeveria merr përsipër të paguajë 70 % të huasë së marrë nga bankat në rastin kur nuk shlyhet nga huamarrësi, por nuk merr përsipër garantimin e interesave, kamatëvonesave dhe penaliteteve apo çdo lloj detyrimi tjetër  monetar që buron nga huatë.

Referuar marrëveshjes, totali i kredive të dhëna nga bankat për një huamarrës nuk duhet të kalojë vlerën prej 250 mijë euro dhe afati i kredisë nuk mund të jetë më i ulët se tre vjet dhe më i lartë se 5 vjet.  Megjithatë, deri më tani nuk janë publikuar të dhëna zyrtare mbi nivelin e përthithjes së fondeve nga kjo skemë, dhe pse më herët është bërë një analizë për të evidentuar problematikat që ka kjo skemë dhe arsyen pse nuk ka interes të lartë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat