Shqipëria Postuar më 21 Mars 2026, 10:16

Qeveria pritet të rikthejë Bordin e Transparencës për karburantet/ Ulet akciza me 20%, synohet reflektim i menjëhershëm në çmimin final

Nga Alida Lula

Qeveria pritet të rikthejë Bordin e Transparencës për

Qeveria po shqyrton rikthimin e Bordit të Transparencës, i cili pritet të vendosë çmime tavan për karburantet, pas rritjes së ndjeshme të naftës që ka arritur deri në 217 lekë për litër. Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ministrave planifikon të ulë me 20% akcizën, një masë që synon të sjellë ulje të menjëhershme në çmimin final të karburanteve.

Në disa pika karburanti në Tiranë, nafta u shit deri në 217 lekë për litër, duke u rritur mesatarisht me rreth 15 lekë brenda një kohe të shkurtër. Pas kësaj situate, pritet që qeveria të riaktivizojë Bordin e Transparencës,

mekanizëm që përcakton kufirin maksimal të çmimit të shitjes për konsumatorët, pritet të vihet sërish në funksion në ditët në vijim.

Ndërkohë, ulja e akcizës nga 39.6 lekë në 31.68 lekë për litër pritet të ketë efekt të drejtpërdrejtë në treg, duke sjellë reduktim prej rreth 8–10 lekësh për litër, kur merret parasysh edhe ndikimi i TVSH-së.

Për të parandaluar abuzimet në treg, është përcaktuar edhe marzhi i fitimit: 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për atë me pakicë.

Bordi i Transparencës, do të mblidhet në mënyrë të vazhdueshme dhe do të bazohet në bursat ndërkombëtare për përcaktimin e çmimeve të karburanteve. Masa synon të lehtësojë barrën fiskale dhe të sigurojë reflektim më të shpejtë të ndryshimeve të tregut në çmimin për qytetarët, ndërsa paralajmërohet se subjektet që nuk respektojnë çmimet tavan do të përballen me ndëshkime. Ministri përgjegjës për Infrastrukturën dhe Energjinë ka paralajmëruar këto masa pas mbledhjes së qeverisë së zhvilluar të enjten, në rast se rritja e çmimeve do të vijonte.

Gjatë dy javëve të fundit, çmimi i naftës dhe benzinës në Shqipëri është rritur me rreth 15 lekë, shtrenjtim që lidhet me tensionet në Lindjen e Mesme dhe situatën në ngushticën e Hormuzit.

Fillimisht, qeveria ngriti task-forcën për monitorimin e tregut të hidrokarbureve me qëllim parandalimin e abuzimeve, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës ka nisur gjithashtu hetim mbi situatën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat