Shqipëria Postuar më 17 Dhjetor 2025, 13:01

Eurobond i ri në 2027 / 2026, pa dalje në tregjet ndërkombëtare. 45 mld lekë huamarrje neto në tregun e brendshëm

Nga Ledina Elezi

Eurobond i ri në 2027 / 2026, pa dalje në tregjet

Në 2027, Shqipëria do të emetojë një eurobond të ri, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm nuk do të bëjë asnjë dalje në tregjet ndërkombëtare dhe do të mbështetet më së shumti në huamarrjen e brendshme përmes emetimit të titujve qeveritarë.

Sipas Planit të Huamarrjes të publikuar nga Ministria e Financave, kjo e fundit do të sigurojë 45 mld lekë financim në tregun e brendshëm gjatë 2026 përmes emetimit të instrumentave bono thesari dhe obligacione. Pra, huamarrjes së brendshme do i shtohet 45 miliardë lekë borxhi i ri deri në fund të vitit 2026, ndërsa totali i emetimeve bruto pritet të jetë rreth 380.11 mld lekë duke përfshirë edhe rifinancimin e borxhit, pra shlyerjen e detyrimeve të borxhit të vjetër duke emetuar tituj të rinj qeveritarë.

Ministria e Financave do të vijojë emetimin e obligacioneve 20-vjeçare, emetuar për herë të parë në vitin 2025 përmes katër ankandeve me rezultate të kënaqshme. Gjatë vitit 2026, ky instrument do të emetohet në muajt Janar dhe Qershor, ndërsa do të rihapet në Mars dhe Shtator.

Pavarësisht se nuk do të ketë dalje në tregjet ndërkombëtare të kapitalit me eurobond të ri, qeveria do të marrë kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare në një vlerë prej 46.97 miliardë lekë, dhe duke konsideruar borxhin e huaj që ripaguhet gjatë vitit, huamarrja neto pritet të rezultojë në nivelin 10.27 miliardë lekë.

Dalja më e fundit në tregjet ndërkombëtare ishte në shkurt 2025 ku u emetua instrumenti Obligacione 10- vjeçare, pra eurobond me shumë 650 million euro, kupon 4.75%, yield 5.0%. Gjatë viteve 2010-2025, vendi ynë ka emetuar 7 Eurobonde në tregjet ndërkombëtare, ku 3 prej tyre janë maturuar. 4 Eurobonde janë outstanding me maturime në vitin 2027, vitin 2028, vitin 2031 dhe vitin 2035.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat