Shqipëria Postuar më 6 Gusht 2025, 12:27

“Energjia më e lirë, ajo që nuk harxhohet” - Raporti i BB për eficiencën energjetike: Për çdo 1 USD të investuar, përfitimi shkon 3-5 USD

Nga Ola Mitre

“Energjia më e lirë, ajo që nuk harxhohet” - Raporti

Banka Botërore ka publikuar së fundmi raportin mbi eficiencën e energjisë, duke theksuar se kursimi është një nga mënyrat më të leverdishme dhe të menjëhershme për të përmirësuar sigurinë energjetike, për të reduktuar emetimet dhe për të nxitur rritjen ekonomike.

Sipas raportit, për çdo 1 USD të investuar në efikasitet energjetik, përfitimi ekonomik shkon në 3 - 5 USD. Megjithatë, raporti vlerëson se aktualisht më shumë se dy të tretat e energjisë së prodhuar globalisht humbet përpara se të arrijë tek përdoruesi përfundimtar, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Eficienca e energjisë ndihmon në uljen e kostove për qeveritë dhe qytetarët, përmirëson cilësinë e shërbimeve publike si ndriçimi, ngrohja apo transporti, dhe parandalon ndërtimin e kapaciteteve të panevojshme të prodhimit të energjisë.

Raporti nënvizon gjithashtu edhe përfitimet sociale dhe të punësimit. Në vitin 2022, sektori i efikasitetit energjetik përbënte burimin më të madh të punësimit në industrinë globale të energjisë, me afro 11 milionë vende pune, që nga projektimi dhe ndërtimi deri tek instalimi dhe mirëmbajtja.

Por sipas raportit, mungesa e politikave të qarta, investimet e ulëta dhe vëmendja e pamjaftueshme institucionale e pengojnë përhapjen në shkallë të gjerë të masave të eficiencës së energjisë. Për këtë, Banka Botërore propozon një qasje kombëtare me mbështetje ndërkombëtare: krijimin e institucioneve të dedikuara, paketa mbështetëse për sektorin privat, dhe bashkëpunim me institucionet financiare për të nxitur teknologjitë e përballueshme. Në përfundim, raporti thekson se “energjia më e lirë dhe më e pastër është ajo që nuk harxhohet”.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat